Refuzimi i Mbappe, ikja e Ramos, përmbysja ndaj PSG.., flet Modric: Të gjithë jemi kalimtarë, Real Madridi i përjetshëm

3 Korrik 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

Luka Modric ka dhënë një intervistë të gjerë për ‘Sportske’, në të cilën bën një rishikim të sezonit me Real Madridin. Mesfushori nuk i shmang asnjë nga pyetjet, madje edhe ato që i referohen Mbappe dhe refuzimit të tij për t’iu bashkuar “Los Blancos”:

“Mbappé vendosi atë që vendosi, kjo është e drejta e tij dhe tani jeton me atë vendim. Të gjithë menduam se do të vinte me ne, por nuk ndodhi. Dhe tani çfarë.. Epo, ne nuk do ta kryqëzojmë. Mbappé është një lojtar i madh, por siç e përsëris gjithmonë, në çdo kontekst, asnjë futbollist nuk është më i rëndësishëm se klubi. Real Madridi është më i madhi, mbi të gjithë lojtarët dhe kështu do të jetë gjithmonë.

Ka mundësi që pas disa vitesh të vijë Mbappe. Sipas logjikës së futbollit, e cila ishte e vlefshme deri në presionin e mjediseve social-politike dhe të interesit në Paris, Mbappe ndoshta do të ndiqte dëshirën e tij të vjetër për të luajtur me Real Madridin. Tani duket, sidomos për fansat e zhgënjyer, se lidhjet janë shkëputur, por gjërat mund të ndodhin përsëri”.

Kroati analizon edhe përmbysjen ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve: “Ishte e rrallë ta shihje Messin, pas kaq shumë ‘El Clasico’, me një fanellë tjetër. Me Neymar dhe Mbappé ata janë një koleksion talentesh. Sidoqoftë, ne jemi Real Madridi dhe kur gjejmë ritmin tonë, me mbështetjen fantastike të tifozëve, thjesht i shtypim ata.

Ishte një natë spektakolare, një nga më mbresëlënëset për mua, edhe pse kam përjetuar shumë te Real Madridi. Që nga ajo fitore, perceptimi i publikut dhe i mjedisit për potencialin tonë në Champions League ndryshoi plotësisht. Skepticizmi u zhduk. E thënë objektivisht, mënyra se si reaguam ndaj PSG-së u tregoi të gjithëve, veçanërisht neve, se mund ta shkonim deri në fund”.

Një mendim edhe për largimin e Ramos: “Të gjitha largimet e lojtarëve me të cilët ndani vite në kohë shumë të suksesshme janë të dhimbshme. Për të gjithë. Pas nëntë vitesh, Sergio është larguar. Që në ditën e parë që ishte pranë meje, ai më ndihmoi të përshtatesha me Real Madridin, më inkurajoi. Ai besonte në potencialin tim. Ne u bëmë miq të mëdhenj, familjet tona u bashkuan, kaluam verën së bashku.

Ende flasim me njëri-tjetrin çdo ditë, të paktën përmes mesazheve. Më mungon shoqëria me të, por gjërat kështu janë në futboll. Ndryshimet janë norma e jetës së përditshme edhe për ata që, si ai, kanë fituar gjithçka. Siç e thashë edhe më parë, ky është Real Madridi. Është konfirmuar se pa ne të gjithë ai do të vazhdojë rrugën e sukseseve. Të gjithë jemi kalimtarë, vetëm Real Madridi është i përjetshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit