Reginaldo: Më këshilluan të mos luaja, sakrifikova për Kukësin!

3 Mars 2019
10:31
Eraldo Harlicaj
back button

Pak e besonin se sulmuesi Artur Reginaldo do ta niste takimin nga minuta e parë kundër Luftëtarit. Një ditë para ndeshjes, ai u përplas me mbrojtësin Faton Xhemailin dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kokë. Një e ënjtur e madhe u shfaq në ballin e tij dhe stafi mjekësor nuk e këshilloi të luante. 

Mozambikasi jo vetëm që zbriti në fushë nga minuta e parë, por bëri mirë. Ai luajti me ritëm të lartë dhe dhuroi dhe një asist për golin e tretë të shënuar nga Valdet Rama. Skema me dy sulmues e Kukësit nuk ka shumë rrjedhshmëri në aksionet sulmuese, por Shkurtaj dhe golashënuesi afrikan, po mundohen të përshtaten. 

Pas ndeshjes, sulmuesi 28-vjeçar la një shënim në llogarinë e tij të Instagramit ku sqaron dëmtimin dhe vështirësitë që kaloi. Ai shprehet se sakrifikoi për ekipin dhe është i lumtur që morën 3 pikë të rëndësishme. "Kur ke forcë, vullnet për të fituar dhe vullnet të qartë për të ndihmuar ekipin, asgjë nuk mund të të ndalë. Shumë kishin frikë, disa me këshillonin të mos luaja, i falënderoj pa masë për shqetësimin, por kjo ishte brenda meje, as unë nuk e di si vazhdova të luaj. 

"Megjithatë, kryesorja është që gjithçka shkoi mirë. Ndihmova ekipin të marrë tre pikë të çmuara dhe dhashë edhe një asist për golin. Tani duhet të riaftësohem dhe fundjavën e ardhshme do të jem më mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet mbështetëse dhe i përqafoj të gjithë”, shkruan sulmuesi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit