Të shikojmë përpara. Nuk kemi vdekur ende, jemi në këmbë… Kreu i grupit të Ligës së Kombeve është ende i arritshëm. Pak a shumë në këto deklarata eksplicite përmblidhet konferenca e sotme për shtyp, në të cilën dolën trajneri Edy Reja dhe Elseid Hysaj nga kampi kuqezi.
Nesër do të luhet miqësorja ndaj Estonisë në “Arena Kombëtare”, një rast për autokritikë të kombëtares, duke pasur parasysh humbjen ndaj Izraelit më 10 qershor dhe zhgënjimin total në pjesën e dytë. Nga grumbullimi i kombëtares janë larguar 11 “senatorë”, ndaj kjo miqësore do të vërë në provë elementët e rinj.
Reja nënvizoi në fjalën e tij: “Kam lojtarë konkurrues për nesër dhe që kanë vlerë. Kur luan në kombëtare nuk ekziston miqësorja, sepse pritshmëritë janë të larta dhe duhen lojtarë me stimuj. Ndaj duhet të luajnë ata që janë aktivizuar më pak dhe jam i bindur se do të paraqiten mirë, pavarësisht se është miqësore.
Duhet të bëjmë një paraqitje me intensitet të lartë, të paktën këto janë pritshmëritë tona. Në këtë miqësore do t’iu japim mundësinë që të aktivizohen të gjithë, edhe ata që nuk kanë luajtur. Jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë. Po ashtu jam i bindur se nuk ka nevojë të gjejmë stimuj për të bërë një ndeshje të mirë me Estoninë.
Humbja me Izraelin? E nisëm ndeshjen siç duhej, por ndonjëherë humbasim ekuilibrat si në golin e parë, ku ia dhuruam avantazhin kundërshtarit. Duhet të përdorim më shumë mendjen dhe të provojmë t’i korrigjojmë këto gabime. Duhet të vlerësojmë kë kemi përballë dhe të llogarisim kohën e ndeshjes. Këtë duhet ta përmirësojmë.
Pas golit nuk mund ta humbasësh përqëndrimin. Fatkeqësisht, pasi pësojmë gol e humbasim humorin në fushë. Nuk jemi të vdekur, jemi ende në këmbë, sepse kemi edhe dy ndeshje në grup. Në Izrael duhet të shkojmë dhe të tregojmë forcën tonë. Kemi edhe Islandën në shtëpi. Duhet të besojmë, të mos e humbasim besimin pasi pësojmë gol. Edhe një rezultat 2-0 mund të kthehet dhe këtë aspekt duhet ta përmirësojmë. Të mos reagojmë pas disavantazhit është e papranueshme.
Miqësorja e nsërme? Ndaj Estonisë më intereson paraqitja dhe do të doja të shihja një ndeshje të bukur. Patjetër, do të ketë ndryshime në formacion. Nesër në mëngjes do të bëj një vlerësim përfundimtar, kemi lojtarë të rinj si Vrioni, Çokaj, Mersinaj apo Muçolli. Por, janë lojtarë që e njohin grupin dhe kanë eksperiencë.
Veseli dhe Lenjani kanë qenë më dhimbje gryke, shpresoj t’i rikuperoj. Hysajn mund ta lija pushim, por duke parë situatën, ndoshta më duhet ta aktivizoj. Ai është mësuar të sakrifikojë dhe nuk e ka problem”.
Nga ana e tij, Hysaj shtoi: “Trajneri ka te drejtë sepse duke rishikuar ndeshjen kuptojmë se kemi bërë gabime taktike. Këto nuk duhen të përsëriten, sepse jemi lojtar që luajmë në ligat kryesore. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm. E kishim përgatitur ndeshjen dhe e dinim që do të kishte kundërsulme, por prapë nuk i evituam dot gabimet.
Me Izraelin ishte një ndeshje që e kishim në dorë, gabimet na kushtuan humbjen. Shpresoj që ato mos të përsëriten më. Sezon i lodhshëm? Është e vështirë, por unë jam profesionist dhe gjendem gjithmonë gati, nën urdhrat e trajnerit, ashtu si edhe të tjerët.
Ka dhe prurje të reja që trajneri do t’i provojë. Është diçka e mirë, sepse kemi nevojë për këta çuna të rinj. Lazio? Kam edhe 4 vite kontratë, do të vazhdoj aty dhe shpresoj të jem më mirë se sezonin e parë në kryeqytet”.