Reja ka vetëm një peng: Humbja me Poloninë do të na djegë gjatë

9 Shtator 2021
8:55
Alfred Lleshi
back button

Edy Reja kishte fjalë të mira për kuqezinjtë, të cilët “fuguan” 90 minuta kundër San Marinos modeste dhe i shënuan 5 gola. Pavarësisht 30 minutave të para të lojës pa gola, pjesa tjetër ishte e zhvendosur tërësisht në gjysmëfushën kundërshtare. Më në fund, disa fjalë të mira nga trajneri italian edhe për Armando Brojën, që shënoi edhe mbrëmë dhe asistoi Uzunin në golin e tij. Ja intervista mbas ndeshjes, që dha për “Supersport”:

Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e skuadrës?
Prisja të bënim shumë më tepër në pjesën e parë, sidomos në aspektin e finalizimit, pasi shënuam vetëm një gol. Megjithatë, në pjesën e dytë ndryshuam me aktivizimin e Roshit dhe Brojës. Skuadra kishte më shumë alternativa në organizimin e manovrës sulmuese dhe u shfaq me e çliruar, ndaj shënuam edhe katër gola të tjerë, përveçse patëm edhe disa raste të mira.

Çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur vendin e dytë?
Ishim në pankinë në rezultatin 5-0 po më thonin se fitonte Anglia. Ishim të lumtur, por pastaj erdhi një dush i ftohtë me golin e polakëve në shtesë. Për të mbajtur gjallë ëndrrën duhet të bëjmë mirë në të tria ndeshjet e mbetura (përveç Anglisë) dhe të provojmë të marrim sa më shumë pikë. Gjithsesi, ajo që më pëlqen është se skuadra po rritet, po funksionon mirë në fushë dhe po argëtohet duke luajtur. Më pëlqen që kam në dispozicion një grup që punon fort në stërvitje dhe kjo është shpërblyer me ndeshjet e mira që kemi zhvilluar këtë edicion. Natyrisht që mund të bënim më mirë vetëm në Poloni, një ndeshje që do të na djegë gjatë për mënyrën se si humbëm.

Çfarë do të bëni ndryshe për ndeshjen e kthimit ndaj Polonisë?
Të them të drejtën në Varshavë bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe u ndëshkuam nga episodet, që për fat të keq nuk i patëm në favorin tonë, megjithatë sigurisht që mund të bëjmë shumë më mirë në sfidën e kthimit. E rëndësishme është që lojtarët të kenë formën më të mirë të mundshme, pasi nëse ndodh kjo, atëherë është e sigurt që mund të jemi shumë më tepër konkurrues ndal Polonisë.

Broja shënoi dhe këtë herë tregoi edhe anën e tij tjetër, atë të altruistit që shërben për shokët…
Broja ishte shumë i aftë se u tregua altruist, pasi gjen lojtarët dhe jo vetëm kërkon golin. Kjo më kënaq, pasi ka treguar përulësi, di çfarë do të thotë një shok, çfarë do të thotë të jesh bashkë dhe ai ta jep topin. Ashtu edhe Uzuni, më pëlqen kjo lloj sjelljeje, larg egoizmit. Kjo është diçka e mirë, kur shoku është në pozicion më të mirë duhet të pasosh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit