Reja zbulon prapaskenat për Kumbullën, tregon dy ekipet që duan Ismajlin

27 Qershor 2020
15:30
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka dhënë një intervistë të gjatë në lidhje me dy mbrojtësit e kombëtares kuqezi Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli. Tekniku italian për Corriere dello Sport shprehet se të dy janë futbollistë shumë të mirë dhe kanë shumë të ardhme. Numri një i stolit të Shqipërisë konfirmoi se Ardian Ismajli ndiqet nga dy ekipe italiane.

“Është një mbrojtës inteligjent, shumë i mirë në duele, i fortë në luftën në ajër, mbi të gjithë është me këmbë në tokë. Marashi ka mundësi për t’u përmirësuar edhe më shumë, e pres diçka të tillë nga ai. Është i vëmendshëm, luan me kokën lart dhe ka sens të mirë taktik. Ai është i ri, është vetëm 20 vjeç, por ka arritur të krijojë një përvojë të mirë. Kumbulla është i kompletuar dhe mendon vetëm për futboll. Mendoj se do të bëhet një lojtar kalibri. Roli i tij natyral është në qendër të mbrojtjes, por po paraqitet mirë edhe si i majtë në mbrojtjen me tre.

“Mund t’i bëjë të gjithë rolet në mbrojtjen me tre lojtarë, ka iniciativë, i pëlqen të luajë dhe merr pjesë në fazën ofensive. Do të ishte një goditje e madhe për Lazion. Ai do të bëhet një futbollist i madh, është i aftë për të luajtur me skuadrat ‘big’. Fizikisht është shumë mirë dhe është kënaqësi kur e sheh duke luajtur. Nuk ka lojtarë të tillë të rinj në Itali. Mos të harrojmë që ka edhe shumë personalitet, një cilësi shumë e rëndësishme për një futbollist. Duhet të kesh shumë personalitet kur vesh fanellën e Lazios, Milanit apo Juventusit. Kam biseduar edhe me Igli Taren për të. Kumbulla nuk e njeh fjalën frikë, nuk i intereson fare se kë ka përballë.

“Unë e ndjek prej kohës që ka qenë kapiteni i të rinjve të Veronës, dallohej që atëherë që kishte cilësi. Ai mund të jetë një siguri në të ardhmen për kombëtaren shqiptare. Kam edhe Djimsitin e Atalantës, teksa po ndjek edhe 2-3 lojtarë të tjerë interesantë. Është edhe Ismajli te Hajduku i Spilit, atë po e kërkojnë Lecce dhe Benevento. Jemi në rregull me Kumbullën në mbrojtje, kemi edhe Strakoshën në portë, të gjithë janë lojtarë të rinj. Fazën defensive e kam të siguruar te Shqipëria, tani po punoj për të kompletuar repartet e tjera“, – tha Reja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit