Rekordi i Barella-s, ja çfarë qëndron mbrapa numrave të Nicolo

17 Gusht 2022
17:06
Denis Hakanaj

Nicolo Barella mbushi 25 vjeç gjashtë muaj më parë dhe kundër Lecce-s, të shtunën në mbrëmje në Via del Mare, ai kaloi kufirin e 200 paraqitjeve në Serie A.

Për të patur një ide për djegien e etapave nga ylli i Inter-it, mjafton të mendojmë se Javier Zanetti ka kaluar të njëjtin prag me 28 vite mbi supe.

Në këtë moment Nicolo është lojtari më i ri (jo portieri) në kampionatin italian që ka arritur 200 ndeshje, ndërsa në historinë e Inter-it ai ka thyer rekordin e Mauro Icardi-t në epokën e tre pikëve.

Under 25 – Barella vrapon shumë shpejt, në fushë dhe në statistika. Po të marrim parasysh futbollistët e lindur nga viti 1997 e në vazhdim, ai është i pari që arrin në 200 ndeshje në Serie A.

Shoku i tij i skuadrës Lautaro Martinez ndjek me 136, ndërsa në podium janë Federico Chiesa me 181 dhe Manuel Locatelli në 175, por i lindur në 1998-ën.

Me pak fjalë, nuk është rastësi që Cagliari kishte vendosur t’ia dorëzonte shiritin e kapitenit xhevahirit më të ndritshëm të çerdhes kuqeblu në vitet e fundit, pavarësisht moshës së tij.

Dhe jo rastësisht emri i tij qarkullon tashmë për të njëjtin rol te zikaltrit, përveç lidershipit të vendosur në kombëtare. Barella luan, inkurajon, jep këshilla dhe lufton pa pushim: ai është një lider, si dhe një lojtar shumë mbi mesataren.

Me Inter-in – Nëse, nga ana tjetër, kufizohemi në botën e Inter-it, 25 vjet e 187 ditë të Barellës janë të paprecedentë në epokën e tre pikëve për fitore. Rekordi i përkiste Icardit, i cili arriti 200 ndeshje në nëntor 2018 kur ishte 91 ditë “më i vjetër”.

Në top 5 është edhe një tjetër shtyllë e skuadrës së Simone Inzaghit, pikërisht Milan Skriniar. Në mars sllovaku festoi të njëjtin numër të rrumbullakët, por ai kishte mbushur tashmë 27 vjeç për rreth tridhjetë ditë.

Me pak fjalë, karriera e Barellës lundron disa vjet përpara lojtarëve më të parakohshëm – dhe të vazhdueshëm – të futbollit italian. Një eksperiencë e tillë me freskinë e një 25-vjeçari të pashtershëm është një kombinim i jashtëzakonshëm që po bën fatin e Interit dhe kombëtares italiane. Dhe ne jemi vetëm në fillim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit