Rekordi i pamposhtmërisë dhe +10 pikë ndaj Bayern Munich. Ja si Xabi Alonso po bën histori

4 Mars 2024
11:54
Alfred Lleshi
back button

Fitorja në derbin kundër Këlnit e afron Bayer Leverkusenin me “Meisterschale” e tij të parë historik, i cili mund ta heqë njëherë e mirë pseudonimin “Neverkusen” nga skuadra gjermane. Siç ndodh shpesh me ata që nuk janë mësuar të fitojnë, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është “ta vrasësh” kampionatin paraprakisht, sepse e dimë që në sprintet finale është gjithmonë skuadra e mësuar të fitojë që pastaj triumfon.

Seria më e mirë në futbollin gjerman
Nuk do të ketë asnjë rrezik këtë vit në Bundesligë, avantazhi ndaj Bayern Munich, me 10 ndeshje përpara, është 10 pikë. Një ecuri që në disa aspekte të kujton ecurinë e Napolit në Serie A, sezonin e kaluar. Me ndryshimin që skuadra e Xabi Alonso, ndryshe nga ajo e Luciano Spallettit, nuk ka pasur kurrë një mbrëmje të keqe: zero humbje në 24 ndeshje, nga të cilat 20 ishin fitore. Duke shtuar “DFB-Pokal” dhe “Europa League”, seria pozitive rritet në 34 ndeshje. Asnjë skuadër gjermane nuk e ka arritur këtë, madje as Bayerni 2019-2020 i Hansi Flick, i cili, pavarësisht se fitoi të gjitha garat, u ndal në 32 rezultate pozitive (pa humbje). Por, ecuria mbresëlënëse e Leverkusen nuk mbaron me kaq.

I vetmi i pamposhtur në të gjithë Evropën
Bayer Leverkusen është ekipi i vetëm në mesin e të gjithëve, në 54 divizionet kryesore të Evropës, që nuk ka humbur kurrë një ndeshje këtë sezon, duke llogaritur të gjitha garat. Dhe mund të jetë ekipi i parë në historinë e Bundesligës që e mbyll kampionatin pa humbje.

Merkatoja perfekte
Ky sukses i jashtëzakonshëm vjen falë një përzierjeje të madhe të talenteve të rinj në rritje dhe lojtarëve me përvojë, të kombinuar nga një trajner i destinuar për gjëra të mëdha dhe një drejtor sportiv që i bëri të gjitha lëvizjet e duhura. Në disa raste, kryevepra të vërteta, si ardhja (transfertë e lirë) e Alejandro Grimaldo, një prej krahëve të majtë më të mirë në Evropë. 9 gola dhe 10 asiste për një lojtar që teorikisht do të ishte mbrojtës i krahut. Dhe më pas një mesfushor me përvojë ndërkombëtare si Granit Xhaka e mesfushori-sulmues cilësor Jonas Hofmann. Nuk mund të mos përmendet “basti” jashtëzakonisht i suksesshëm i Victor Boniface, i blerë nga Union Saint-Gilloise për 16 milionë euro. Në pjesën e parë të sezonit me Leverkusen, ai shënoi 16 gola në 23 ndeshje, përpara se të lëndohej pak para fillimit të Kupës së Kombeve të Afrikës. Paraqitja e tij e fundit me Leverkusen daton më 20 dhjetor, ndërkohë që skuadra luajti 8 ndeshje të tjera pa u prekur nga mungesa e tij, duke fituar 7 ndeshje dhe një barazim.

Gjeografia e golave
Pa nigerianin, të gjithë menduan për zgjidhjen e problemit të golit. Që nga rifillimi i kampionatit, pas pushimit dimëror, 10 lojtarë të ndryshëm janë alternuar mes golashënuesve. Dhe për ironi të fatit nuk shënuan gol as Patrik Schick dhe as Borja Iglesias, dy qendërsulmuesit e tjerë. Organizimi i lojës së Xabi Alonso bën diferencën, duke lejuar gjetjen e rrjetës përmes shumë zgjidhjeve.

Faktori Xabi Alonso
Dhe të mendosh që më 5 tetor 2022, kur drejtuesit shkarkuan Gerardo Seoane, skuadra ishte e parafundit në tabelë. Kur zgjedhja e drejtorit sportiv Simon Rolfes ra mbi Xabi Alonso, u duk si “kumar” për shumicën. Në fund të fundit, CV-ja e baskut fliste për një përvojë në sektorin e të rinjve të Real Madridit dhe tri vite te Real Sociedad B. Ai ngriti moralin e ekipit gjerman, i cili e ndoqi me përpikëri falë karizmës së tij. Rezultatet e para të mira rikthyen besimin në skuadër, pjesën tjetër e bëri rrugëtimi i madh në “Europa League”, sezonin e kaluar. Këtë sezon Alonso vazhdoi punën, duke e përsosur atë dhe e bëri ekipin një “makinë” të përsosur. Është e pashmangshme që klube të mëdha si Liverpool dhe Bayern Munich të mendojnë për të, por së pari duhet të shkruhet historia në Leverkusen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit