Rekordi i Zanetti, kaloi 19 trajnerë tek Interi. U bë kapiten nga… Ronaldo

10 Gusht 2020
10:39
Alfred Lleshi
back button

Emri i Javier Zanetti shënoi një epokë të vërtetë tek Interi. Ai është flamur i së kaluarës, një shembull profesionalizmi brenda dhe jashtë fushës, kampion i vazhdimësisë, me një atletizëm të amatë, i aftë për të përflakur “San Siro”. Sidoqoftë, shumë nuk e mbajnë mend kur filloi aventura e madhe e tij si kapiten zikaltër. Në fakt, Zanetti e mbajti shiritin e lavdishëm për herë të parë më 2001, menjëherë pas dëmtimit të rëndë të gjurit nga Ronaldo, deri në atë kohë drejtues i grupit, që nga viti 1999. Pas tri vitesh, braziliani vendosi t’ia hapte krahun shokut të tij të skuadrës, argjentinasit. Kjo vazhdoi edhe pas kthimit të tij të mëvonshëm në fushë. Kështu filloi një lidhje e gjatë dhe e thellë me ngjyrat zikaltër.

Ishte i njëjti “Fenomen”, që do ta promovonte tërësisht, gjatë një interviste, argjentinasin si kapiten: “Mund të them që do të më pëlqente nëse Zanetti do të vazhdonte ta mbante shiritin. Ai e ka mbajtur deri më tani, është krenar për të. Edhe ne të gjithë jemi krenarë për atë si kapiten. Ndër të tjera, ai do të luajë nesër ndeshjen e 200-të në Serie A. Nëse trajneri vendos ta lërë të luajë, siç ka ndodhur gjithmonë deri më tani, duhet të jetë kapiten. Kjo është arsyeja pse do të ishte dyfish e drejtë që ai të vazhdojë ta mbajë shiritin. Po, ai do ta mbajë atë”.

Për 14 vite, saktësisht deri më 2014, Zanetti ishte kapiteni shembullor i një skuadre, që ai arriti të ngjitet në majë të botës me “tripletën” historike të vitit 2010. Një aventurë e shkëlqyeshme, që e shenjtëroi atë në historinë e klubit zikaltër me numra të papërsëritshëm. Argjentinasi mbërriti në Itali nga Banfield dhe kaloi 19 vite tek Interi, para se “t’i varte këpucët në gozhdë”, më 2014. Plot 19 janë trajnerët, që ai ka kaluar gjatë qëndrimit në Milano. Ky është një rekord i vërtetë për një lojtar, që më vonë u shpreh, në fund të karrierës së tij, për TG1, duke kujtuar disa prej drejtuesve të së kaluarës:

“Cuper ishte serioz dhe i aftë, më erdhi keq për mënyrën sesi përfundoi marrëdhënia me të. Ai e pagoi 5 majin. Mazzarri është dikush që duket paksa si Cuper për përkushtimin ndaj punës së tij dhe për mënyrën sesi kujdeset për detajet. Një vit i vështirë me të, ne humbëm derbin 6-0 dhe diçka u prish. Nuk e di nëse ishte më e keqja, por është sigurisht trajneri me të cilin jam lidhur më pak. Edhe me Lippi ishte një vit shumë i ndërlikuar. Mourinho? Një trajner dhe një njeri me personalitet të shkëlqyer, një fitues që kujdeset për të gjitha detajet. Do të mbetet në zemrat e të gjithë tifozëve të Interit”.

Gjatë karrierës së tij të pamatë, Zanetti ka treguar edhe një fleksibilitet të çmuar nga pikëpamja taktike. Pas një jete të kaluar si mbrojtës i djathtë, argjentinasi në fakt luajti si mesfushor tek Interi i Mourinho, duke i hapur kështu rrugën një interpretuesi të mrekullueshëm në krahun e djathtë: Maicon. Braziliani ishte ndër protagonistët kryesorë të ekipit të mrekullueshëm të krijuar nga Mourinho, ndërsa Zanetti ndryshoi rolin, por pa ndryshuar performancën e tij. Soliditeti përballë mbrojtjes, mbulimi dhe ekuilibri për një lojtar, që tregoi një pjekuri taktike të pashembullt, e bënë atë pikë referimi te zikaltrit.

Në fakt, në fund të atij sezoni të “trpiletës”, ai kishte 55 paraqitje mes kampionatit dhe kupës. Kishte filluar një jetë e re për Zanetti, i cili, deri në ditën e ndeshjes së tij të fundit, fitoi duartrokitjet e përzemërta të tifozëve. Mbrojtësi i djathtë, ose mesfushori, ishte lider në fushë dhe jashtë saj. Numri 4 zikaltër ka hyrë në histori. Sot feston 47-vjetorin si zv.president i Interit, duke kontribuar sërish nga katedra për klubin e tij të zemrës, me të ciliin identifikohet me gjithçka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit