Renditja botërore: Juventus e teta, Napoli parakalon Milan-in dhe Inter-in

18 Gusht 2019
16:01
Denis Hakanaj
back button

Nëse paratë nuk dhurojnë lumturinë, sigurisht ndihmojnë në fitimin e kampionateve dhe kupave. Por për të ndërtuar një skuadër me vlera, edhe monetare, nuk ekziston vetëm një rrugë e vetme: mund të blihen kampionë të konfirmuar me shifra të çmendura, ose mund të pritet shpërthimi i talenteve. Manchester City ka ndjekur kryesisht rrugën e parë.  

Skuadra angleze është ajo që ka organikën me vlerën më të lartë në botë: 1,27 miliardë euro, sipas të dhënave të Transfermarkt. Për të arritur në këtë nivel, City ka patur nevojë për financat e Mansur Bin Zayed, po vlera e yjeve të “Qytetarëve” është rritur ndjeshëm edhe falë punës së Guardiola-s.

Mjafton të mendohet për Kevin De Bruyne, të cilin City e bleu për 76 milionë euro në 2015-ën nga Wolfsburg dhe që sot vlen plot 130 milionë euro, pothuajse dyfishi.

Renditja e 10 skuadrave me organikën me vlerën më të lartë vazhdon me dy gjigantët e Spanjës: Real Madrid dhe Barcelona, që me blerjen e Neymar mund t’ia marrin vendin e parë  Manchester City-t. Pas tyre vijnë kampionët e Europës, Liverpool-i, i ndjekur nga Tottenham dhe PSG, në vendin e shtatë.

Në vendin e tetë është Juventus me një vlerë 869 milionë euro të organikës: e kotë të thuhet se Cristiano Ronaldo, edhe pse 34 vjeç, është lojtari me vlerën më të lartë mes lojtarëve që ka Sarri në dispozicion.

Klasifikimin e 10 të parave e mbyllin Chelsea, Atletico Madrid dhe Bayern Munich. Ndërkohë, duhet zbritur deri në vendin e 14-të për të gjetur një italiane tjetër, Napoli-n, pothuajse në një nivel me Inter-in: të dyja pak sipër 600 milionë eurove, të paktën deri tani, kur kanë mbetur dy javë nga fundi i merkatos. Në vendin  e 18 renditet Milan-i me një vlerë 507,5 milionë euro të ekipit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit