Revolucion në Kategorinë e Parë, ja struktura që propozon FSHF!

30 Maj 2019
13:11
back button

Skema e Kategorisë së Parë, me 2 grupe me nga 10 ekipe dhe pastaj play-off me ndarje grupesh në dy pesëshe ka pasur avantazhet e saj, por ka pasur edhe probleme pa fund, duke bërë që shumë ndeshje në pranverë të kthehen në sfida pa vlerë, në kufijtë e qesharakes.

Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur sot takimet konsultative me klubet e Kategorisë së Parë për rishikimin e strukturës dhe formulës per 4 sezonet e ardhshme, 2019-2023.

Sekretari Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, së bashku me Shefin e Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, vendosën para përfaqësuesve të klubeve opsionet në lidhje me formulën e Kategorisë së Parë, për të pasur një garë sa më kompetitive deri në javën e fundit të sezonit.

Klubet do të kenë kohë deri në 5 qershor të studiojnë propozimin e FSHF-së dhe të dërgojnë propozimet e tyre, apo sugjerimet për ndryshime.

Propozimi i FSHF-së parashikon që edhe sezonin e ardhshëm numri i ekipeve të jetë 20, por në sezonin pasues të ulet në 18, më pas në 16 e kështu me radhë.

Në tryezën e klubeve është një projekt-ide: 4 ekipet e para në secilin grup të vijojnë të luajnë ndeshje play-off, për të përcaktuar nga një ekip për grup, që do të shkojë në Superiore.

Ndërkaq, 6 ekipet e renditura në vendet 5-10 të vijojnë me fazën play-out, ku 2 ekipe do të zbresin direkt nga kategoria dhe një të shkojë në ndeshje shtesë, me një ekip nga Kategoria e Dytë, si këtë vit.

Ndërkaq, klubet e Kategorisë së Parë kanë kundërshtuar, duke mos pranuar të vijohet sërish me skemën e sezonit aktual, ndërkohë që nuk pranohet as përgjysmimi i pikëve, që praktikisht i rifut në garë edhe klubet që deri në janar janë me pushime.

Disa klube duan kampionat me 20 ekipe, pa ndarje në grupe, por me 2 ekipe që shkojnë në Superiore dhe 4 ekipe që bien direkt, si dhe disa në play-off e play-out, duke bërë që të paktën 5-6 ekipe të luftojnë për Superioren dhe 8-9 të jenë në ankth deri në fund për mbijetesën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit