Rey Manaj në 360 gradë, zbulon sekretet e karrierës. Nga sherri me De Biasin te “tolerimi” i Messit në stërvitje

26 Maj 2022
11:35
Alfred Lleshi
back button

Rey Manaj, sulmuesi shqiptar i Spezia, siguroi mbijetesën në Serie A. Ai nuk shënoi shumë gola, sikurse pritej, por e ndihmoi skuadrën italiane të mbetej në elitë, mes shumë pengesash. Në një intervistë të gjatë për “Calciomercato.com”, ai rrëfen sezonin që sapo mbaroi, por u ndal dhe tek etapat e deritanishme të karrierës, përfshi këtu debutimin me Interin në Serie A, luajtja me Barcelonën, stërvitja përkrah Messit etj:

“Jam mirë këtu te Spezia dhe do të isha i lumtur po të qëndroja. E di se çfarë dua, por klubi duhet të bëjë një sakrificë si për kartonin, ashtu edhe pagën. Për të ecur përpara së bashku duhet të biem dakord të gjithë.

Natyrisht që jam shumë i kënaqur me mbijetesën në Serie A. Ishte mision i vështirë sepse jemi grupi më i ri në kampionat. Nuk është e lehtë të shënosh shumë në një ekip që lufton për mbijetesë, por mendoj se kam pasur një sezon pozitiv. Shpresoj që sezonin e ardhshëm ta rris numrin e golave.

Këtë sezon me trajner Thiago Motta mësova si të jem më vendimtar në fushë, edhe pa shënuar. Mësoi disa lëvizje për të krijuar situata favorizuese për shokët e mi dhe për ta ngadalësuar lojën kur duhet.

Cilët janë mbrojtësit më të fortë, me të cilët jam përballur? Do t’ju them dy, Chiellini dhe Skriniar. I pari ka përvojë dhe fizik të shkëlqyer, në nivel markimi është një hap përpara të tjerëve. Skriniar është gjithmonë i përqendruar, nuk shfokusohet për asnjë moment.

Falenderoj Mancinin për mundësinë e debutimit me Interin. Kam luajtur disa ndeshje me fanellën zikaltër. Do të ishte një ëndërr të kthehesha në këtë ekip të madh. Mancini bëri histori duke fituar shumë. Gjithmonë merrte pak më shumë se limitet nga lojtarët. Gjithashtu ishte shumë i përgatitur taktikisht. Në atë periudhë më ka ndihmuar të menaxhoj situata të ndryshme.

Në fund të kampionatit ishim të gjithë të relaksuar dhe jo shumë të koncentruar. Një ditë më dërgoi në dhomat e zhveshjes se nuk po stërvitesha mirë. Në fillim u zemërova shumë, më pas kuptova që e kishte bërë për të mirën time dhe e mora mësimin e duhur.

Eksperienca tek Interi? Kur arrin në një ekip të madh në moshën 17-vjeçare, është e vështirë të fitosh hapësira. Ndoshta isha unë që nuk i përmbusha pritshmëritë e tyre, por personalisht nuk u zhgënjeva”.

Kulmin e karrierës konsideron nënshkrimin me Barcelonën: “Ishte gjëja më e rëndësishme e jetës sime. Ata më kishin afruar te Barça B, por më pas pata mundësi për të shkuar në ekipin e parë. Në fund mbeta rezervë, por gjithsesi e ndjeva peshën e fanellës. Në fushë mund të shihje dallimin mes lojtarëve të Barcelonës dhe të tjerëve, ne luanim me qetësi të çmendur.

Messi? Unik, lojtari i vetëm që më emocionoi. Është më i forti në histori. As në stërvitje nuk gabonte kurrë, gjithmonë merrte vendimin e duhur.

Gjatë stërvitjes kam qenë gjithmonë i kujdesshëm që të mos e lëndoj. Në një moment ishim në dyluftim një kundër një. Ai shkoi fillimisht djathtas, pastaj majtas dhe në fund e lashë të kalonte. Me një tjetër nuk do të kishte përfunduar kështu”.

Një koment edhe për përplasjet me De Biasi në kombëtaren kuqezi: “Isha ende adoleshent, doja të shkoja në kombëtare, por nuk më thirri. Thashë gjëra të nxituara që unë dhe ai mund t’i kishim menaxhuar më mirë. Më pas u sqaruam me trajnerin dhe tani kemi një marrëdhënie të mirë.

Edy Reja? Kam respekt të madh për të si person dhe trajner, ka arritur rezultate të rëndësishme në karrierën e tij. Ai po bën një punë të shkëlqyer me kombëtaren, flasim shpesh. Edhe verën e kaluar, kur më duhej të vendosja nëse do të vija në Itali apo të qëndroja në Spanjë, ai më këshilloi të kthehesha këtu”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit