Rezultatet e dobëta, Teuta bën “kurban” ndihmësit e Martinit

11 Shkurt 2020
12:50
Alfred Lleshi

Ndryshime në stafin teknik të Teutës. Rezultatet e fundit negative kanë prekur dy ndihmësit e Edi Martinit, me shkodranin që kishte zëvendësuar më herët Bledi Shkëmbin si trajner i “djemve të detit”. Mesa duket, forma e dobët sportive e portierit Frashëri dhe mungesa e golave nga sulmuesit ka “kryqëzuar” stërvitësit e këtyre roleve. Gafa e portierit korçar ndaj Tiranës, në “Air Albania Stadium”, nuk është kapërdirë dot nga drejtuesit e klubit, që në pamundësi për ta ulur atë në stol, kanë shkarkuar trajnerin Alfred Osmani. Në vend të tij është “votësbesuar” Bledar Rizvani. Sa i përket “agjërimit” të sulmuesve, përgjegjësia ka rënë mbi Gentian Begejën, një ish-goleador i spikatur i durrsakëve. Vendin e tij e ka marrë Bledar Hodo, edhe ky pjesë e Teutës në të kaluarën. Ja njoftimi i bregdetarëve me këtë rast:

“KF Teuta ka zyrtarizuar edhe dy anëtarët e rinj të stafit teknik,që do të jenë Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani, të cilët kompletojnë stafin blu, sepse gjejnë aty edhe përgatitësin atletik, Eduard Salillari. Edi Martini do të ketë si krahun e djathtë në pankinë një emër të njohur të futbollit durrsak, pikërisht Bledar Hodo. Ndersa trajneri i portierëve do të jetë Bledian Rizvani. KF Teuta me këtë rast falenderon Gentian Begejën dhe Alfred Osmanin për emocionet dhe punën e tyre me ekipin gjatë kesaj kohe që ishin pjesë e Teutës. Iu urojmë suksese në karrierën e tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit