Rikthehet Superiorja me sfida të nxehta, sy dhe veshë nga Teuta-Vllaznia

25 Nëntor 2020
9:36
Alfred Lleshi
back button

Kjo e mërkurë është e mbushur me futboll. Jo vetëm Champions, por edhe kampionat shqiptar. Konkretisht, sot do të luhen ndeshjet e javës së katërt të Superiores. Në dy orare të ndryshme, skuadrat do të “përplasin brirët” mes tyre, me synimin për të marrë maksimumin. Spikat sfida e Durrësit, ku do të jetë mysafire Vllaznia kryesuese, me pikë të plota. Aty do të jetë një tjetër test force dhe vazhdimësie për kuqeblutë, pas suksesit të fundit me Tiranën. Edi Martini, një shkodran 24-karatësh, do të ketë në dorë fatin e kuqebluve. Sytë e të gjithëve janë nga “Niko Dovana”, edhe të rivalëve, që presin të mos thellohet “arratisja” nga Vllaznia.

Tirana kampione pret ballshiotët e startit problematik në këtë kampionat. Nevil Dede, pasi “nusëroi” me humbje në Shkodër, në “inaugurimin” e tretë si trajner i bardhebluve, shpreson të provojë anën tjetër të medaljes sot. Partizani udhëton në Fier, në një sfidë me debutuesit bardhëjeshilë. Apolonia ka treguar potencial në tri javët e para, ndaj me të drejtë, Ilir Daja kërkonte dje përqendrim dhe vlerësim maksimal nga të tijtë. “Demat e Kuq” janë në kërkim të ekuilibrit në lojë dhe rezultate, ende larg pritshmërive.

Ballafaqim “hekurash” mund të konsiderohet ai mes Kukësit dhe Laçit. Dy rivalë të ethshëm për njëri-tjetrin me vite, që kur janë bashkë në Superiore. Kurbinasit e përforcuar ndjeshëm duhet ta tregojnë veten më mirë në fushë, ashtu si nënkampionët, të cilët kanë ndryshuar tërësisht fytyrë në merkaton e verës. Skënder Gega, i prekur nga Covid-19, nuk do të jetë as sot në stolin e verilindorëve, një mungesë e rëndësishme kjo për të tijtë.

Në Korçë do të kërkojë të bëjë “heroin kombëtar” Kastrioti. Natyrisht, duhet të pushtojë “kështjellën” e Skënderbeut, skuadrës së Ahmatajt, mjaft e rinuar dhe në konsolidim i sipër. Krutanët nuk e njohin humbjen në këtë kampionat, edhe pse janë debutues, ndaj do të bëjnë çmos të mos e prishin këtë rekord edhe sot në qytetin juglindor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit