Kanë kaluar gati dy vite që kur Joan Laporta fitoi zgjedhjet për president të Barcelonës, duke përjetuar fazën e tij të dytë në krye të entitetit blaugrana. Që atëherë, klubi ka përjetuar katër merkato transferimi të gjata, por edhe të frytshme. Për sa i përket futbollit profesionist, Barça ka mbyllur 120 operacione ndërmjet ekipit të parë dhe filialit (ekipit B).
Duke zbërthyer numrat, llogariten 60 lëvizje në treg për ekipin e parë dhe 60 të tjera për Barça B. Gjatë afateve kalimtare të sezonit 2021/22, u mbyllën 10 nënshkrime për ekipin e parë dhe 16 largime, shtatë prej të cilave në formë huazimi, përveç një tërheqjeje të detyruar: ajo e ‘Kun’ Agüero. Vetë sulmuesi argjentinas mbërriti i lirë, ashtu si edhe Eric Garcia e Memphis Depay.
Në dimër klubi u përforcua me katër emra të tjerë: Dani Alves, i cili mbërriti pa ekip, pak ditë pasi Xavi u prezantua si trajner i ri në nëntor; Ferran Torres erdhi nga Manchester City për 55 milionë euro; Adama Traoré, i huazuar nga Wolverhampton deri në fund të sezonit, dhe Pierre-Emerick Aubameyang, në ditën e fundit të merkatos dhe i lirë nga Arsenali.
Humbjet e Emerson, Junior Firpo, Todibo, Aleñá, ndër të tjera, përveç transferimeve të Griezmann e Trincao ndihmuan në pastrimin e bilancit të transfertave: 64.5 milionë euro të investuara, krahasuar me 70.55 milionë të arkëtuara. Këtyre iu duhen shtuar më shumë se 20 milionë nga shitjet e Ilaix Moriba (16 milionë euro), Akieme (3.5 milionë euro) dhe Konrad de la Fuente (3 milionë euro) të filialit, që u përforcua me ardhjen e Abde (2 milion) dhe Fabio Blanco (500 mijë), përveç Ferran Jutglà që mbërriti falas. Në total, një llogaritje pozitive prej 26 milionë euro.
Aktivizimi i levave të ndryshme gjatë verës, duke shitur asetet e klubit për të oksigjenuar financat e Barcelonës, bëri të mundur përballjen me garanci të shumta në merkaton e verës. Realiteti i këtij sezoni ka qenë krejtësisht ndryshe. Projekti sportiv i drejtuar nga Xavi Hernández ka mundur të fillojë nga e para që në verë dhe me ulje-ngritjet përkatëse në kohën e duhur. Në merkaton e transfertave të verës, bilanci ishte 8 afrime dhe 17 largime.
Rreth 160 milionë euro janë paguar për Raphinha, Lewandowski, Kounde dhe Pablo Torre; përveç nënshkrimeve pa kosto transferimi të Christensen, Kessie, Bellerín dhe Marcos Alonso. Në kapitullin e “viktimave”, ekziston lista: Coutinho, Aubameyang, Neto, Pjanic, Braithwaite, Riqui Puig, Mingueza, Dani Alves, Wagué, Rey Manaj, Luuk de Jong dhe Adama; përveç Trincaos, Nico, Collado, Umtiti, Dest, Abd, Lenglet dhe të “pensionuarit” Pique. Pothuajse asgjë. Bilanci i transfertave është parashikuar në 116.7 milionë euro negative. Çdo revolucion e ka një çmim.
Sa i përket filialit, janë regjistruar 25 largime, duke fituar 6 milionë euro, 5 prej të cilëve korrespondojnë me transferimin e Jutglas te Bruges. 10 prurje të reja janë zyrtarizuar te Barcelona B dhe të vetmet me kosto transferimi kanë qenë ato të Emre Demir (2 milionë euro), Lucas Román (1.2 milionë euro) dhe transferimi i Robertos për gjysmë milioni euro.
Të gjitha këtyre duhet t’i shtohen edhe tri lëvizje jo të pakta në skuadër: ngjitjet në ekipin e parë. Gjatë merkatos së kaluar dimërore, numri ’14’ iu dha Nico González, ndonëse në verë ai përfundoi në huazim te Valencia. Pikërisht të martën u bë i mundur regjistrimi i Gavi-t në ekipin e parë dhe peshën e numrit ‘6’ në shpinë. Më parë, Iñaki Peña e bëri këtë dhe shpresohet që Alejandro Balde ta bëjë së shpejti.