Rio Ferdinand: Do ta merrja menjëherë këtë talent te Manchester United

22 Mars 2019
9:04
Alfred Lleshi
back button

Manchester United duhet të lëvizë për të marrë yllin e Anglisë, Jadon Sancho. Kështu sugjeron ish-mbrojtësi i “Djajve të Kuq”, Rio Ferdinand. Ky i fundit e njeh lojtarin e ri, të lindur në Londër, dhe familjen e tij. Ai mendon se do të përshtatej në mënyrë të përkryer në krahun e djathtë të skuadrës nga “Old Trafford”: "Unë do ta merrja atë te Manchester United, pa asnjë hezitim. Anglez, i ri, i uritur dhe i talentuar, kjo është e gjitha që duhet të ketë një lojtar i kompletuar i së ardhmes".

Sancho u largua nga Manchester City në gusht 2017, i irrituar nga mungesa e aktivizimit në ekipin e parë nga Pep Guardiola. Ai u transferua te Borussia Dortmund, ku ka shkëlqyer këtë sezon. Për Ferdinand, gatishmëria e tij për të lëvizur diku tjetër tregon vendosmërinë dhe vetëbesimin e Sancho: "E kam njohur Jadon që kur ishte fëmijë, e njoh përmes miqve. 

Ai ka mentalitet të fortë, talent dhe atribute të jashtëzakonshme fizike. Edhe pse “fëmijë”, ai vendosi ta lërë Manchester City, sepse donte të luante. Me këtë veprim sikur tha: Aftësia ime e meriton vendin e titullarit dhe këtë mund ta bëj menjëherë, tani, nuk po pres. Dhe u largua në Gjermani, duke e bërë këtë. 

Pra, nëse dikush më pyet nëse do ta merrja në “Old Trafford” Jadon Sancho, me gjithë respektin e duhur ndaj Borussia Dortmund, do të thoja po, 100 për qind". Sancho ka shkëlqyer në Bundesligë, duke luajtur 35 ndeshje në të gjitha garat dhe shënuar 9 gola e dhënë 17 asistime.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit