Rio Ferdinand zbulon të shkuarën e errët: Pija deri në 10 gota, pastaj kalova te vodka

22 Janar 2019
13:12
Alfred Lleshi
back button

Rio Ferdinand ishte një nga qendërmbrojtësit më të mirë të Anglisë në dekadën e fundit, me një karrierë të lidhur me Manchester United, West Ham, Leeds, Bournemouth dhe Queens Park Rangers. Në një intervistë për “The Guardian”, e cila sponsorizon një produkt të ri sportiv, që përpiqet të përmirësojë ushqyerjen dhe trajnimin e futbollistëve, pranon se gjatë një fazë të karrierës kishte abuzuar me alkoolin.

Ai zbulon disa “sekrete” në këtë drejtim, në fillimet e karrierës, para se të mbërrinte te Manchester United. "Kam pirë shumë, kur isha i ri. Mund të pija deri më tetë, nëntë, ose dhjetë pint (njësi volumi, ose kapaciteti në sistemet e matjes në Angli dhe SHBA). 

Dhe pastaj kalova te vodka. Kur isha i ri, mund të shpenzoja edhe tërë ditën duke pirë. Ama, gjithmonë pija pas ndeshjeve. Kjo ishte axhenda e ditës në West Ham: futboll, alkool dhe disko. Kështu jetonim atje", – thotë Ferdinand, në intervistë për këtë gazetë angleze.

Ai pranon se kishte mangësi në West Ham, pasi ndeshjeve iu paraprinte me alkool: "Kur isha i ri, isha i çmendur. Kur isha te West Ham, kisha disa boshllëqe. Njerëzit flisnin për lojëra dhe rezultate, ndërsa unë nuk ua vija shumë veshin".

Te Manchester United, ai pohon se pinte vetëm gjatë pushimeve dhe ishte shumë i përpiktë gjatë sezonit: "Në verë, pija gjatë dy javëve që isha pushim absolut".

Tani, Rio Ferdinand është angazhuar me disa projekte solidariteti, që lidhen me hulumtimet shkencore kundër kancerit dhe kundër racizmit në futboll. Ai, gjithashtu, ka bërë fushatë kundër largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian (Brexit). 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit