Rivaldo paralajmëron Koeman për Luis Suárez, “votëbeson” presidentin e ri të Barçës

18 Shtator 2020
15:20
Alfred Lleshi
back button

Rivaldo, legjenda e Barcelonës, paralajmëroi klubin katalanas dhe Ronald Koeman se, pavarësisht se nuk është në planet e tyre, Luis Suárez ka fituar të drejtën për ta shteruar edhe vitin e fundit të kontratës në “Camp Nou”. “Me sa duket Suárez nuk do të lëvizë nga Barcelona, as të shkojë te Juventusi. Dhe kjo është mirë për mua, sepse Suárez ka fituar të drejtën për të vazhduar, edhe pse trajneri i tha që nuk e ka në planet e tij. Ai ka një kontratë, është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe nuk mund të harrojmë se ai është shënuesi i tretë më i mirë në historinë e Barcelonës, kështu që pozicioni i tij më duket normal”, – tha “Topi i Artë” në vitin 1999.

Rivaldo, gjithashtu sugjeroi se Ronald Koeman duhet t’i trajtojë me kujdes Messin dhe Suárez: “Të dy janë mbi 33 vjeç. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se Koeman duhet të kujdeset për gjendjen e tyre fizike më shumë se kurrë, t’i dozojë ato në mënyrë që të arrijnë mirë në momentet kulmore të sezonit”.

Sipas ikonës braziliane, Griezmann dhe Fati do të duhet të marrin më shumë përgjegjësi: “Nëse Koeman i kursen pak Suárez dhe Messi, lojtarë të tjerë si Ansu Fati dhe Griezmann mund të kenë më shumë hapësirë. Mendoj se do të ishte një tranzicion perfekt për momentin, në të cilin largohen Messi dhe Suárez. Sigurisht, që të dy duhet t’i përgjigjen Koeman, sepse trajneri do të duhet t’iu besojë më shumë veteranëve, sepse dëshiron siguri. Në fund të ditës, jeta për një trajner është rezultati”.

Përveç kësaj, Rivaldo e vuri veten në dispozicion të kandidatëve të mundshëm për presidencën e Barcelonës, me zgjedhjet e planifikuara për në mars 2021: “Askush nuk më ka kontaktuar akoma. Unë gjithmonë e kam bërë të qartë se jam i gatshëm të flas dhe të bashkëpunoj në çdo projekt të ardhshëm. Jam tifoz i madh i Barcelonës dhe do të jem në dispozicion të kontribuoj me dijet dhe cilësitë e mia. Kësisoji, jam i hapur të flas me çdo kandidat të mundshëm për të parë se si mund të ndihmoj.

Personalisht shoh Joan Laporta me më shumë potencial në zgjedhje. Kam lexuar që mund të prezantohet. Karriera e tij te Barcelona ishte shumë e suksesshme, me të u krijua skuadra më e mirë në histori. Le të mos harrojmë se nën presidencën e tij, produkte të “La Masía” u bënë drejtuesit e projektit të “Dream Team”: Messi, Xavi, Iniesta, Puyol. Nuk kam dyshim që, nëse kandidon, ai do të jetë favorit shumë, shumë i fortë për një mandat të dytë në krye të Barcelonës nga marsi 2021”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit