Rivaldo zbulon trishtimin e madh të Champions-it: Barça gaboi me Arthur

7 Gusht 2020
15:15
Alfred Lleshi
back button

Kur flet Rivaldo, të gjithë e dëgjojnë me vëmendje. Braziliani, fitues i “Topit të Artë” më 1999, dha një intervistë për “AS”, në të cilën analizon Ligën e Kampionëve. Një kompeticion që e njeh mirë, pasi e ka fituar me fanellën e Milanit në vitin 2003.

Champions – “Ky kompeticion është diçka ndryshe. Prandaj, të gjithë lojtarët duan të vijnë në Europë për të luajtur në të, për ta fituar kush mundet, sepse është diçka mbresëlënëse. Kushdo ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve. Unë e bëra këtë me Milanin, por ishte e trishtueshme të mos luaja finalen kundër Juventusit. Isha në stol në finale, edhe pse doja shumë të luaja në fushë. Ishte një gjë e trishtueshme, sepse, pavarësisht gjithçkaje që kam bërë në futboll, kam dashur ta luaj atë ndeshje. Unë kisha luajtur në ndeshje të tjera, në atë sezon të Ligës së Kampionëve, ndaj doja të jepja kontributin tim në finalen e “Old Trafford”.

Arthur – “Për mua, Arthur duhej të ishte me shokët e tij të skuadrës, sepse ende nuk është lojtar i Juventus. Pra, duhej të ishte me Barcelonën. Nuk e di se çfarë ndodhi me të, por nuk mendoj se një lojtar kthehet në Brazil kot së koti, sepse nuk dëshiron të luajë. Ai është një djalë i mirë, i qetë; nuk e di se çfarë ndodhi mes tij dhe Barçës, por ka diçka që nuk e dimë. Është një situatë që mund të shmanget duke folur për të, është e keqe për lojtarin dhe ekipin”.

Ashtu si Xavi – “Për mua, Arthur duhej të qëndronte te Barça. Unë e kam thënë tashmë se ai është një lojtar i shkëlqyeshëm. Edhe mediat thonë se ka luajtur mirë, se ishte i ngjashëm me Xavi, se luajti si ai. Të gjithë flisnin mirë për të. Ai luan qetësisht, lehtë, me të dyja këmbët. U dha paqe shokëve të tij të skuadrës, e pasonte mjaft mirë topin. Vërtet nuk e di se çfarë ndodhi, sepse Arthur kishte shumë vite para si lojtar i Barçës. Sipas mendimit tim, ai duhej të kalonte shumë kohë në “Camp Nou”. Fat i mirë për Juventusin, i cili tani do ta shijojë atë…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit