Për më shumë se një dekadë, tenisti serb Novak Djokovic ka luajtur e rivalizuar me dy ikona të tjera të këtij sporti, si Roger Federer e Rafael Nadal. Ndërsa tani, numri 1 në botë dhe fituesi i 24 grand slam, duelon me 20-vjeçarin Carlos Alcaraz.
Djokovic dhe Alcaraz deri më tani janë përballur 3 herë, me serbin që udhëheq 2-1 me ndeshje. “Carlos nuk është i vetmi, janë disa tenistë të rinj që po rriten dhe po shkëlqejnë në turne të ndryshëm”, tha Djokovic.
“E ardhmja e tenisit është në duar të sigurta dhe padyshim që Alcaraz e udhëheq këtë grup të rinj. Mendoj se është në të mirë të këtij sporti që të ketë rivalitete të rinj”, tha më tej tenisti serb.
Gjithsesi, Djokovic e konsideron rivalitetin me Federer e Nadal të një niveli tjetër. “Rivaliteti me Federer, Nadal por edhe me Murray, janë një gjë tjetër. Një histori tjetër, një nivel tjetër. Me Carlos kam luajtur vetëm 3 herë, ndaj tyre shumë më tepër”, tha Djokovic.