River dhe Boca zbarkojnë në Madrid, blindohet qyteti

6 Dhjetor 2018
16:21
Denis Hakanaj
back button

Akti i fundit i finales së Kupës Libertadores mes River Plate dhe Boca Junior është shumë afër. Pas kaosit të nisur me sulmin ndaj autobusit të verdhebluve 24 nëntorin e kaluar, pak orë para ndeshjes së kthimit që do të luhej në  "Monumenatl", dy skuadrat argjentinase do të përballen në "Santiago Bernabeu" këtë të diel (20:30). Do të fillohet nga barazimi 2-2 i regjistruar në ndeshjen e parë.

Zbarkimi në Madrid – River Plate dhe Boca Juniors kanë zbarkuar me një diferencë prej pak orësh distancë mes tyre në Madrid. "Millonaros" kanë shkelur në kryeqytetin spanjoll në orët e para të së enjtes dhe do të stërviten në Valdebebas, qendra stërvitore e Real Madrid. "Xeniezes", nga ana tjetër, kanë shkuar në Spanjë pasditen e së mërkurës dhe do të përgatiten për ndeshjen në qendrën sportive të federatës spanjolle, në Las Rozas.

Qytet i blinduar – Në këto ditë, Madridi do të jetë i blinduar nga forcat e rendit për të shmangur çdo rrëmujë të mundshme dhe për të mos lejuar që të përsëritet ajo që ndodhi dy javë më parë në Argjentinë. Pak orë para se Boca të nisej për në Spanjë, "Bombonera" është evakuuar për shkak të një alarmi për bombë, që ka rezultuar fals pas kontrollit të policisë.

Autoritetet spanjolle, ndërkohë, kanë kthyer në shtëpi Maxi Mazzarro, një nga liderët e tifozerisë ultras të Boca-s, i cili kishte shkuar në Madrid mbrëmjen e së mërkurës. Të njëjtin fat ka patur edhe një tjetër ultras i Boca-s, Jonhatan Devoto. "Policia do të kthejë të gjithë ata që kanë precedentë penalë. Duam të shmangim çdo rrezik për rrëmuja të mundshme, rëndi publik është përparësia", ka thënë Guillermo Madero, përgjegjësi i sistemit të sigurisë për evenimentet sportive.

Në orët e ardhshme janë parashikuar të shkojnë në Spanjë Rafa Di Zeo dhe Mauro Martin, dy liderët e tjerë të tifozerisë së Boca-s, që kanë marrë vizën për të udhëtuar pavarësisht se nuk kanë të drejtë të futen në "Bernabeu". Niveli i gatishmërisë në Madrid është rritur për shkak të binjakëzimit të tifozëve ultras të River me ata të Rayo Vallecano (Los Bukaneros). Ndërkohë, në Buenos Aires janë lajmëruar arrestime të tjera në lidhje me incidentet e 24 nëntorit të kaluar.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit