Roma dhe Interi, gati zyrtarizimi i shkëmbimit të bujshëm

15 Janar 2020
11:53
Alfred Lleshi
back button

Jemi një hap larg shkëmbimit përfundimtar Politano-Spinazzola, çka duket një nga negociatat më të rëndësishme gjatë merkatos së dimrit në Itali. Zyrtarizimet e klubeve mungojnë ende, por tani nuk ka më dyshime. Matteo Politano do të jetë një lojtar i Romës, ndërsa Leonardo Spinazzola po përgatitet të veshë fanellën e Interit. I pari mbërriti të mërkurën në mëngjes në kryeqytet, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore në “Villa Stuart”, çka do t’i paraprijë nënshkrimit të kontratës, që do ta lidhë atë me verdhekuqtë në një aventurë të re. 

E njëjta gjë vlen për ish-lojtarin e Atalantës dhe Juventusit, që arriti në Milano disa minuta më vonë, për të hedhur hapat e fundit, që do ta kurorëzojnë shkëmbimin në fjalë. Roma ka siguruar elementin e duhur, që në tabelën taktike të shahut të Fonseca do të zëvendësojë të dëmtuarin Zaniolo (për të sezoni ka mbaruar), ndërsa Conte do të ketë anësorin që ka kërkuar për ca kohë. Për Politano është një kthim në origjinë. 

I lindur në Romë, ai u rrit te verdhekuqtë, me të cilët fitoi një kampionat të rinjsh dhe një “Coppa Italia” po për të rinjtë, pa e bërë dot kurrë debutimin në ekipin e parë. Në vend të kësaj, një aventurë krejtësisht e re për Spinazzola, që arrin te zikaltrit pas përvojave me Empoli, Lanciano, Siena, Vicenza, Perugia, Atalanta, Juventus dhe Roma. Te kjo e fundit kishte mbërritur qershorin e kaluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit