Roma provon të shërojë plagët, “doktor” Ranieri kthehet në shtëpi

8 Mars 2019
10:15
back button

"Nëse duhet të jap një ndihmë të vogël, unë jam në dispozicion. Jam tifoz, nuk mund të fshihem". Ky është pak a shumë Claudio Ranieri, kjo është pak a shumë përgjigja e tij tipike, kur e pyesin për Romën dhe për mundësinë e kthimit aty.

Tani Ranieri kthehet në shtëpi, 10 vite pas një largimi të trishtueshëm. Tani "Sir Ranieri" nuk duhet të bëjë mrekulli alla Leicester, por misioni është po aq delikat, sepse duhet të kthejë normalitetin në një ambient të përçarë dhe plot helm, por mbi të gjitha duhet të bashkojë Romën me tifozët e saj. Pak a shumë si bëri në 2009.

Roma e viteve të fundit ka qenë një kantier, me afrime e largime, ndryshime në stol e në bordin drejtues, por nuk ka funksionuar dhe tashmë në klubin verdhekuq është arritur pika më e ulët, me trajnerin Eusebio Di Francesco që është larguar dhe me drejtorin sportiv Monchi me valixhet gati, pa harruar sulmet pa fund ndaj presidentit James Pallotta.

Në raste krize, duhet një "djalë" shtëpie, një si Ranieri, që në fakt është thuajse 70 vjeç, por kur bëhet fjalë për Romën transformohet në një adoleshent të dashuruar. Herën e fundit në Romë fitoi 4 derbi dhe vetëm një Roma-Sampdoria e mallkuar ia hoqi titullin kampion.

Marrëdhënia me tifozët ishte fantastike, dy vite në majë, edhe pse pa trofe, por romanistët nuk është se trofetë i kanë në gjak. Trofetë e Romës janë ndjenjat, dashuria për fanellën dhe ngjyrat verdhekuqe, ajo që po mungon kohët e fundit.

Ranieri është romanist, i përket Romës dhe tifozët e duan. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për 3 muaj si trajner i përkohshëm, si Solskjaer, Ranieri është gati të punojë edhe falas për Romën e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit