Roma vendos rekord, blen portierin armik të Barcelonës

5 Korrik 2019
10:13
back button

Roma pak nga pak po nis të përforcohet dhe të shpenzojë, sepse tashmë ka kompletuar edhe operacionin e blerjes së portierit Pau Lopez nga Betis.

Spanjolli 24-vjeçar shkëlqeu sezonin e fundit në Sevilje dhe tashmë transferohet te Roma për 20 milionë euro, plus 7.5 milionë euro si dhuratë, me klubin verdhekuq që heq dorë nga pjesa e kartonit që ka për sulmuesin Sanabria, i cili bëhet 100% i Betisit.

Betis kërkonte 30 milionë, ndaj Pau Lopez ka bërë një sakrificë të vogël, duke ulur pak pagën dhe duke u bërë kështu portieri më i shtrenjtë në historinë e Romës, përveçse një ndër më të paguarit në Serinë A, me rreth 2 milionë euro në sezon.

Lopez është nga Girona, pak kilometra larg Barcelonës, ndërkohë që ka luajtur për Espanyol shumë vite dhe është armik i betuar i Barcelonës, duke qenë ndër më të egrit në derbin e qytetit, aq sa një herë shkeli Leo Messin në një përballje plot nerva në kupë, ku portieri u grind edhe me Luis Suarez.

Në atë kohë Pau Lopez u kritikua ashpër dhe kërkoi falje, edhe pse e quajti thjesht sherr sportiv, që mbetet në fushë. Sezonin e fundit u përfol për një interesim të Barçës për portierin, por zor se tifozët do ta pranonin blerjen e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit