“Për ne brazilianët, Pelé është më i madhi i të gjithëve, por në shtëpinë time, Maradona ka qenë gjithmonë Diego, ndryshe nga gjithë të tjerët. Çfarë mund të thuhet për të? I shkëlqyeshëm, më i miri që kam parë të luajë. Unë dhe ai kemi kaluar shumë kohë së bashku, jo vetëm si futbollistë, por edhe si njerëz. Ai ka qenë gjithmonë si një vëlla më i madh për mua. Ka qenë e mrekullueshme të rrija me të”, – tha Ronaldinho gjatë një interviste për “Champions Lounge”.
Ish-lojtari brazilian gjithashtu foli për karrierën dhe përvojat e tij futbollistike: “Te Milani, tifozët më kanë trajtuar gjithmonë shumë mirë, edhe para se të vishesha kuqezi. Edhe kur luaja te Barcelona, kundër Milanit, ata më duatrokisnin dhe jepnin dashuri. Kur mbërrita aty, ishte një lidhje e pabesueshme. I dua shumë. Unë dhe Allegri? Një marrëdhënie shumë e mirë, ishte trajner i madh. Nuk kam pasur asnjë problem me të”.
Ronaldinho mes idhujve dhe lojtarëve të sotëm: “Kam qenë një lojtar i lumtur. Kam bërë atë që më pëlqente më shumë dhe falë Zotit ia kam dalë. Të luaja futboll ishte ajo që kam dashur më shumë në botë. Numri 10 i ëndrrave? Për mua, Roberto Baggio, ndër italianët. Më pëlqente shumë. Ndër mbrojtësit, Cafu, sepse gjithmonë në stërvitje më ka vënë në vështirësi. Një nga më të fortët. Pastaj Maldini, një lider. Në formacionin tim 4-3-1-2, në portë është Dida. Mbrojtësi i djathtë do të ishte Cafu, i majti Roberto Carlos. Dy qendërmbrojtësit janë Paolo Maldini dhe Rafa Marquez. Si ‘playmaker’ do të ishte Thiago Motta, ndërsa dy mesfushorët e tjerë do të ishin Deco dhe Andrea Pirlo. Numri 10 nuk do të isha unë, por Leo Messi. Dy sulmuesit janë Ronaldo dhe Romario”.
Ronaldinho dhe pasardhësi i tij në fushë: “Neymar është një mik i madh, një nga lojtarët më të mëdhenj, fare pranë nivelit të Messit, Pelé dhe disa të tjerëve. Ai ka bërë shumë gjëra të bukura për futbollin. Vinicius, pasardhësi im? E kam mik, për mua tani është braziliani më i fortë në botë. Ta shoh të luajë është kënaqësi. Lamine Yamal mund të ndjekë rrugën e më të mëdhenjve, por nuk është e lehtë. Prandaj, ne jemi aty për ta vëzhguar dhe mbështetur, në mënyrë që të bëjë mirë për futbollin dhe për Barcelonën. Ai ka cilësi dhe ne e mbështesim”.