Ronaldinho “shpërthen dyert e burgut”, bën magji me topin (video)

31 Mars 2020
12:10
Alfred Lleshi
back button

Më 21 mars festoi ditëlindjen e tij të 40-të, një ditëlindje jokonvencionale nga ato të kohëve kur mrekullonte në fushën e blertë. Në mënyrën e tij, megjithatë, Ronaldinho arrin të marrë skenën edhe në burg, ku ka përfunduar nga fillimi i marsit. Siç dihet, arsyeja e burgosjes së tij është kapja me pasaportë false në Asuncion të Paraguajit, ku kishte mbërritur së bashku me vëllain dhe menaxherin e tij, Roberto Assis, për të prezantuar librin “Gjeniu i jetës” dhe të merrte pjesë në nisma bamirësie. 

Braziliani u arrestua dy herë në 48 orë dhe u burgos në “Agrupación Especializada de la Policía Nacional”. Ish-kampioni i Milanit dhe Barcelonës tashmë ka dhënë një shfaqje, duke marrë pjesë në turneun e futbollit mes të burgosurve: 11-2 fitoi ekipi i tij. Por, magjitë e Dinho në burg nuk kanë të mbaruar. Nëse një mik që e vizitoi pas hekurave tha se e kishte gjetur të trishtuar dhe demoralizuar, kampioni brazilian po gjen ngushëllim e rehati me topin e tij të dashur. 

Dhe pas shfaqjes në turneun e minifutbollit në burg, Ronaldinho është “pavdekësuar” aty ndërsa luante “footvolley” me të burgosur të tjerë. Klasi i tij ka mbetur i paprekur, ashtu si teknika superlative, që kemi pasur mundësinë ta vlerësojmë gjatë gjithë karrierës së brazilianit. Ndoshta nuk ngjason me ato që bënte në “Camp Nou” apo “San Siro”, por prekja e topit prej tij ka mbetur e njëjtë, bashkë me gëzimin e atyre që ndanin fushën me të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit