Ronaldinho, ‘shuplakë’ PSG-së: Ke lojtarët më të mëdhenj dhe do të ndryshosh… Çfarë synon tani, më të keqen?!

14 Maj 2022
14:03
Alfred Lleshi
back button

Ronaldinho do të jetë në finalen e “Champions League” si pjesë e një fushate reklamuese. Ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG-së foli për RMC dhe shpjegoi ndjenjat e tij përpara ndeshjes vendimtare për t’u bërë kampion i kompeticionit kontinental. Por jo vetëm kaq, në intervistë ka shqyrtuar edhe lajmet e futbollit, ka analizuar situatën e ish-skuadrës së tij pariziene.

Në lidhje me finalen e Ligës së Kampionëve dhe shanset e Real Madridit dhe Liverpool-it për të fituar, braziliani tha: “Janë dy skuadra të mira, kanë lojtarë shumë cilësorë. Iu uroj atyre më të mirën. Real Madridi është shumë i mirë, bën një punë të madhe. Por, meqenëse më pëlqen shumë Barça, jam me Liverpool-in (qesh)”.

Ronaldinho është i befasuar nga ata që thonë se shumë gjëra duhet të ndryshojnë te PSG për sezonin e ardhshëm. Ai do të ‘vinte bast’ për vazhdimësinë: “Nuk e kuptoj, sepse aty janë të gjithë lojtarët e mëdhenj.

Dhe ju doni të ndryshoni gjithçka? Dëshironi të keni çfarë? Lojtarët më të këqij në botë? Duhet të presim derisa ta kuptojnë këtë mënyrë të re jetese dhe të luajturi futboll. Pjesa tjetër do të vijë pak nga pak. Kjo lloj përshtatje është normale, për t’i bërë gjërat mirë”.

Një nga lojtarët që ai e konsideron kyç në skuadrën pariziene është Neymar. Për vazhdimësinë e tij në klub, Ronaldinho nuk ka dyshime: “Ney është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai ka pasur disa lëndime këtë vit. Kur është në 100% bëhet një lojtar vërtet i veçantë. Neymar, Di María, Messi… Lojtarët më të mirë janë bashkë. Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë, me cilët do të luani?”

Ronaldinho, si pothuajse kushdo që ka lidhje me botën e futbollit sot, është pyetur edhe për të ardhmen e Mbappe. Braziliani i uroi vetëm të jetë i lumtur kudo që do të vendosë të shkojë: “Më pëlqen shumë. Më e rëndësishmja është që ai të jetë i lumtur, pjesa tjetër do të vijë normalisht. Ai do të bëhet lojtari më i mirë në botë. Pjesa tjetër varet nga ai, të vendosë se ku do të luajë dhe çfarë do të bëjë”.

Së fundi, nëse Benzema është favorit për “Topin e Artë”, ai siguroi: “Unë e dua Karim. Ai është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Dhe kjo nuk ndodh vetëm sot, por për një kohë të gjatë. Këtë sezon gjërat po shkojnë shumë mirë për të”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit