Ronaldo: Champions-in të mos e shohim si fiksim, Juve më ka tërhequr gjithmonë

21 Gusht 2019
13:15
Alfred Lleshi
back button

Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, bëri një rrëfim të gjatë për transmetuesin portugez TVI. Aty foli edhe për të ardhmen: “E tashmja është e shkëlqyeshme dhe duhet ta shijoj. Nuk luaj më futboll për të jetuar mirë, jam i qetë financiarisht. Ato që më duhen janë projekte tërheqëse si ai i Juventusit. Unë gjithmonë e kam pëlqyer këtë ekip, është më i miri në Itali dhe ndër më të mirët në Europë. Rekordet e mia? Unë jam tashmë në historinë e futbollit”.

Nga Real Madridi te Juve, një zgjedhje e diktuar nga kërkimi i stimujve të rinj: “Kam jetuar në Madrid për nëntë vite, 60% të karrierës time. Unë kam dashur një sfidë tjetër dhe jam shumë i lumtur që zgjodha Juven”. Lënia e Madridit ishte edhe më e ndërlikuar për djalin e tij, Cristianinho: “Ai kishte miqtë e tij atje, por unë e kisha përgatitur me muaj të tërë. Ai e kuptoi që ekzistonte mundësia që babai i tij të largohej nga Reali, nuk e besonte, por e dinte që mund të ndodhte. Unë jam një person, që nuk më pëlqen të qëndroj në një zonë rehatie dhe Madridi ishte i mjaftueshëm për këtë. Prandaj, dëshiroja dhe zgjodha një sfidë të re”.

Portugezi mbërriti në Torino me një qëllim specifik, për t’i ndihmuar bardhezinjtë që të ngrnë në qiell kupën me “veshë të mëdhenj”: “Të gjithë duan ta fitojnë Ligën e Kampionëve, edhe ne, por nuk duhet ta përjetojmë atë si një obsesion. Ne i lëmë gjërat të marrin rrugën e tyre. Le të ecim përpara hap pas hapi. Duhet të kujtojmë se paratë nuk i bëjnë ekipet të shkëlqyera. Shikoni sa vite kanë Barcelona, Bayern Munich apo PSG pa e fituar Champions-in”.

Shumë çmime individuale të fituara gjatë karrierës së tij: “Edhe shumë herë të tjera, kur nuk i fitova, ndieja se isha në rregull. Nuk është rastësi që Messi dhe unë jemi të vetmit, që e kemi fituar “Topin e Artë” nga pesë herë secili. Personalisht kam ende motivim, do të përpiqem të fitoj përsëri, në nivel ekipi dhe individualisht. Përndryshe, do të isha ndalur tashmë. Do të ishte e lehtë, sepse asgjë nuk më mungon, por ajo që më shtyn përpara është pasioni për futbollin dhe dëshira për të fituar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit