“Ronaldo kandidat për Topin e Artë dhe Messi jo: ja arsyeja”

13 Gusht 2022
11:16
Denis Hakanaj
back button

Topi i Artë i ardhshëm nuk do të mund të fitohet nga Leo Messi. Tani është zyrtare, Pleshti nuk bën pjesë në listën e 30 më të mirëve që do të garojnë për çmimin dhe për herë të parë nga 2006-a, numri 30 i PSG-së është jashtë luftës për çmimin që e ka fituar shtatë herë deri tani.

France Football ka vendosur se argjentinasi nuk do të garojë për të fituar trofeun e tetë në ceremoninë që do të zhvillohet më 17 tetor, por vendimi ka krijuar shumë polemika dhe L’Equipe ka provuar të japë një shpjegim: pse Ronaldo po dhe Messi jo?

Ndryshimi i kritereve të Topit të Artë është arsyeja kryesore dhe paraqitjet e bëra nga Leo në Francë nuk kanë qenë ato që priteshin.

Viti i parë i argjentinasit në Paris, në fakt, nuk ka qenë i mirë: nga tensionet me Pochettino-n te vetëm 6 golat e shënuar në Ligue 1, deri tek eliminimi në 1/8-at e Champions League kundër Real Madrid.

Po pse në listën e 30 më të mirëve është përfshirë Cristiano Ronaldo? Portugezi është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me kombëtaret, ka shënuar 6 gola në fazën me grupe të Champions-it dhe e ka mbyllur sezonin me 32 gola në 49 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Rezultate të mjaftueshme për të qenë akoma pjesë e elitës së futbollit. Kjo është hera e 18 radhazi që CR7 është i pranishëm në listën e kandidatëve për Topin e Artë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit