Ronaldos i duhen “dylbi”, përvijohen favoritët për “Këpucën e Artë”

18 Mars 2019
11:19
Alfred Lleshi
back button

Lionel Messi nisi “arratisjen” në garën për “Këpucën e Artë” të Europës, të dielën, me “hat-trick” personal, që realizoi në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Real Betis. Pas tij vijon të mbetet Kylian Mbappe, i cili shënoi golin e 25-të në Ligue 1 për këtë sezon, në fitoren 3-1 të PSG ndaj Olympique Marseille.

Fabio Quagliarella i Sampdorias vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer, duke shënuar në fitoren emocionuese 5-3 ndaj Sassuolo. Veterani italian është në kuotën e 21 golave për momentin, në Serie A. Jashtë podiumit (tri vendeve të para) kanë mbetur aktualisht Cristiano Ronaldo dhe Krzysztof Piatek, të dy me nga 19 gola në llogari.

Në fakt, kanë mbetur edhe nga 10 ndeshje për t’u luajtur në kampionatet europiane, për t’u vendosur se kush do ta fitojë “Këpucën e Artë”, por duket se Mbappé është i vetmi, që mund ta sfidojë Messin për trofeun. Nëse Messi vazhdon ta kryesojë këtë renditje europiane deri në fund, do ta fitojë për të tretin vit radhazi si çmim. 

Argjentinasi është tashmë lojtari që e ka fituar më shumë se çdokush tjetër “Këpucën e Artë”, katër herë, një më shumë se rivali i madh, CR7. Kjo është renditja momentale e “Këpucës së Artë”, e përditësuar më 18 mars:

1. Lionel Messi, Barcelona: 29 (gola) x 2.0 (koeficenti) = 58.0 pikë
2. Kylian Mbappe, PSG: 25 x 2.0 = 50.0
3. Fabio Quagliarella, Sampdoria: 21 x 2.0 = 42.0
4. Cristiano Ronaldo, Juventus: 19 x 2.0 = 38.0
5. Krzysztof Piatek, Genoa / Milan: 19 x 2.0 = 38.0
6. Sergio Aguero, Manchester City: 18 x 2.0 = 36.0
7. Luis Suarez, Barcelona: 18 x 2.0 = 36.0
8. Robert Lewandowski, Bayern Munich: 18 x 2.0 = 36.0
9. Robert Skov, FC Copenhagen: 24 x 1.5 = 36.0
 10. Mbaye Diagne, Kasimpasa: 23 x 1.5 = 34.5

Lajme të tjera

Lajmet e fundit