Roshi i jep fund beqarisë, kurorëzon lidhjen para Lituanisë (fotot)

7 Shtator 2020
9:33
Alfred Lleshi
back button

Dje ishte dita e tij. Në njëfarë mënyre u bë “kryefjala” e konferencës së trajnerit Edy Reja para Lituanisë. Gazetarët e pyetën teknikun kuqezi pse nuk luan titullar fieraku, meqë sa herë hyn në fushë ndryshon rrjedhën e lojës. 73-vjeçari italian e lidhi këtë me skemën që përdor, duke u justifikuar se nuk prish dot planet e krejt kombëtares për Roshin. Deri këtu jemi brenda futbollit. Por, e diela e djeshme ka qenë e shënuar për “raketën” e kombëtares.

Ai është lidhur në fejesë me bukuroshen Silvi, përmes një ceremonie të spikatur, ku kanë marrë pjesë të dyja familjet e çiftit, miq dhe të afërm. Në këtë mënyrë, Roshi i ka dhënë fund beqarisë edhe “de jure”, sepse “de facto” ishte në lidhje prej kohësh. Sipas të ftuarve, e fejuara e futbollistit kuqezi dukej shumë elegante, me një fustan të bardhë me xixa, ndërsa Roshi kishte zgjedhur të vishej me kostum e këmishë të zezë.

Sonte, me siguri do të jetë duke pritur shansin e tij për t’u hedhur në fushë dhe ndihmuar kombëtaren për fitoren e radhës në Ligën e Kombeve. Titullar ka pak gjasa, por edhe si zëvendësues, fieraku ka dëshmuar se jep kontribut esencial, është me mjaft ndikim në vetë rezultatin final. Qoftë kështu edhe sonte, pse jo me një gol, për t’ia dedikuar Silvit, partneres së vet, me të cilën zgjodhi të shkojë në altar të dielën e djeshme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit