RRËFEHET ARMAND DUKA: Bilanci i vitit që mbaroi dhe projektet e FSHF në 2021!

3 Janar 2021
23:34
Eraldo Harlicaj
back button

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” të gazetares Albana Bejko në RTV Ora, ku ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptare. Kreu i qeverisë së futbollit ka folur për pandeminë dhe impaktin që Covid-19 pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrysa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.

Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në play-off-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë.

– Ka qenë një vit që ka impaktuar normalisht edhe futbollin. Kriza që solli pandemia ka ndikuar shumë në të gjithë futbollin botëror, padyshim edhe në Shqipëri, ku është një industri ende shumë e brishtë. Sa sfidues ka qenë ky vit për Federatën, për ju?

– 2020-ta ishte realisht vit i vështirë. Vit i vështirë sepse ka ndikuar apo ka cenuar atë që është më e rëndësishmja e bazës së jetës, shëndetin. Kështu që përderisa jemi sulmuar të tërë nga virusi Covid-19, ka destabilizuar jetën, ka destabilizuar mënyrën e aktiviteteve në përgjithësi, ka destabilizuar pa dyshim edhe futbollin. Ka ndikuar direkt edhe indirekt tek ai. Por gjithsesi, unë mendoj se duhet ta shohim përsëri 2020-n, le të themi gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Kemi mësuar disa gjëra, kemi mësuar edhe të jetojmë ndryshe apo të bashkëjetojmë me një virus. Kemi mësuar edhe të luftojmë me të. Kemi mësuar që duhet të jemi më shumë bashkë edhe më shumë solidarë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin se në fund të fundit kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kështu që duhet të jemi të gëzuar dhe të kënaqur ne që jemi mirë e shëndoshë dhe që sot vazhdojmë të jemi edhe në 2021-shin, por gjithsesi kemi pasur humbje që na kanë lënë shenja dhe histori negative, për të cilat ne duhet të ngushëllojmë të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur apo ato që u infektuan dhe kanë pasur probleme. Gjithashtu, duhet të falënderojmë ata që na kanë ndihmuar gjatë 2020-s, të cilët ne si Federatë i kemi konsideruar si Kombëtarja jonë e 2020-s, ekipin e mjekëve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë ata që kanë shërbyer të gjithë shoqërisë tonë.

– E ka penalizuar FSHF-në kjo pandemi? Ka pasur disa aspirata që duhet t’i kishin arritur në 2020-n dhe ka qenë pandemia që i ka penalizuar?

– Padyshim që nuk mund të pretendojmë që kemi marrë maksimumin e zhvillimeve sportive, maksimumin edhe të gjithë fushave të tjera të jetës, siç e thashë edhe më parë. Padyshim që nëse nuk do të ishte pandemia do të kishim një nivel më të mirë gare, do të kishim akoma më shumë mundësi.

Mos të harrojmë që për dy muaj u ndërprenë plotësisht dhe ndërprerja ka edhe një ndikim fizik në gjendjen e futbollistëve. Por edhe pas ndërprerjes, me protokollet dhe rregullat e domosdoshme kanë ndikuar në mosarritjen e një performance maksimale sportive. Gjithashtu, ka ndikuar mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit, një gjë shumë e rëndësishme, një gjë që i jep një tjetër atmosferë ambientit sportiv, i jep një tjetër mënyrë impenjimi. Ka ndikuar gjithashtu edhe nga pikëpamja ekonomike. Ndoshta në futbollin shqiptar pak më pak, por në vende më të zhvilluara ka ndikuar akoma më shumë, pasi impakti i tyre ekonomik, qoftë nga mungesa e të ardhurave nga mungesa e spektatorëve aty është akoma më i madh, këtu disi më i vogël.

Padyshim që ka ndikuar në financat, jo vetëm të klubeve, por edhe të Federatës së Futbollit, nga mungesa e të gjithë këtyre që thamë, pasi sigurisht ndeshjet e Nations League do ishin me një tjetër impakt ekonomik për Federatën e Futbollit, përveçse kemi pasur shpenzime direkte për të ndihmuar anëtarët tanë në muajt e ndërprerjes mars-prill me paga. Kështu që të gjitha këto kanë ndikuar, por në fund të fundit ne duhet të jemi të gëzuar për faktin që më në fund kemi arritur të përfundojmë çdo lloj aktiviteti. Jemi nga vendet e pakta në botë dhe në Europë që kemi përfunduar çdo lloj aktiviteti sportiv. Nuk kemi anuluar asnjë, që nga ekipet e para të femrave, fëmijëve, amatorëve dhe gjithçka.

Gjithashtu edhe në aspektin kontinental europian, jemi i vetmi kontinent, Europa që ka përfunduar të paktën garat e ekipeve kombëtare dhe ndeshjeve evropiane, që ishin vërtetë në vështirësi të mëdha për shkak të protokolleve. Ndërsa të gjithë kontinentet e tjera dhe të gjithë lojërat e tjera, i kanë ndërprerë. Kështu që parë në këtë këndvështrim ne duhet të jemi të kënaqur, për kaq sa kemi bërë. Dhe padyshim që ka edhe ndonjë zhvillim pozitiv sportiv dhe sado që nuk është i kënaqshëm me vitet e mëparshme apo nuk është i kënaqshëm me atë që ishte programuar nga gjithkush, nga çdo trajner, drejtues klubi apo objektiv personal i një atleti apo sportisti. Gjithsesi nëse ka pasur pak ndikim pozitiv duhet të jemi të lumtur në këtë vit të vështirë, 2020.

– Është një industri ende shumë e brishtë futbolli në Shqipëri. Sa mendoni se mund të mbijetojë në këtë situatë sepse sidoqoftë, pandemia nuk ka përfunduar ende kështu që jemi të paqartë për të ardhmen që na pret?

– Ne urojmë që kjo pandemia të kalojë dhe të kthehemi në jetën normale por nëse do të vazhdojë, padyshim që ka një ndikim negativ. Ndikimi negativ është që gjithkund, jo vetëm në një ekonomi apo industri të brishtë si në Shqipëri, por edhe atje ku janë të zhvilluar. Kështu që gjithsesi jam shumë i sigurt që jemi të përgatitur për të vazhduar garat si i kemi vazhduar në 2020-n dhe të urojmë që gjërat të mos përkeqësohen. Ndërsa në planet e zhvillimit të sportit në Shqipëri apo futbollit duhen shumë gjëra që kjo industri të kthehet në industri solide, në një industri me baza të shëndosha dhe që siguron të ardhmen.

Dhe për të bërë këtë ne kemi bërë disa hapa, nuk është se nuk kemi bërë, por politikat shtetërore të zhvillimit të sportit në Shqipëri, jo vetëm që nuk kanë qenë në fokus apo prioritete, por kanë qenë inekzistente dhe gjatë vitit 2020 ne kemi pasur edhe një zhvillim në formë proteste nga ekipet apo nga klubet e Kategorisë Superiore për të kërkuar një ndryshim dhe një shtrat ligjor që do të përmirësonte zhvillimin e sportit dhe futbollit në veçanti.

– Ndalemi te bojkoti, ka qenë “highlights”-i i këtij viti në futbollin shqiptar. Ishte një lëvizje që u konsiderua edhe si radikale, megjithatë pati deri diku një marrëveshje me qeverinë, u tha se do të ngriheshin grupet e punës dhe do të shihen kërkesat dhe pati njëlloj mirëkuptimi nga ana e qeverisë. Megjithatë nuk shohim të mbahet premtimi. Ndiheni të tradhtuar?

– Jo, në fakt unë e kam thënë qëndrimin tim që në fillim. Kam qenë në mbështetje të kërkesave, madje sporti ka nevojë edhe për më shumë gjëra se sa janë kërkuar aty. Disa nga kërkesat e Ligës janë keqinterpretuar apo keqpërdorur për arsye politike për të thënë që ka apo nuk ka të drejtë Liga.

Liga realisht ka kërkesa të drejta. Është bërë një lloj demagogjie me të nga disa personazhe politikë mbase, por në asnjë rast nuk kanë pse mendojnë se i kanë mashtruar përfaqësuesit e sportit apo përfaqësuesit e Ligës, sepse në njëlloj mënyre kanë mashtruar veten e tyre. Sporti nuk është as për përfaqësuesit e Ligës, as për përfaqësuesit e klubeve, por sporti dhe futbolli janë për fëmijët tanë dhe për atë që ne do i lëmë atyre dhe çfarë baze ne do i ndërtojmë atyre për ta parë të ardhmen këtu.

Qoftë edhe për këtë pjesë të jetës të rëndësishme për mua në sport. Realisht nuk kemi asnjë reagim pozitiv, me gjithë premtimet që na janë bërë nga qeveria që deri në fund të vitit do kishim të paktën një fond për sportin, që nuk ekziston në Shqipëri. Uroj që në të ardhmen të mendojnë ndryshe. Mos ta mendojnë si një luftë me presidentë apo përfaqësues klubesh, por ta mendojnë si një detyrim për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e fëmijëve që duan të luajnë futboll. Pa pasur një ndryshim, një bazë ligjore të shëndoshë, pa pasur një infrastrukturë të mirë, është shumë e vështirë që të zhvillosh futbollin në nivelet që kërkon viti 2021 apo në nivelet që kërkon dëshira e të gjithë shqiptarëve, të paktën për të luajtur futboll.

Kështu që përkrahja e tyre nuk është një përkrahje që kërkon një faturë financiare të pakthyeshme, apo një lëmoshë apo një donacion nga shteti. Jo! Vetëm politikat shtetërore apo investimet për sportin. Të bësh disa fusha futbolli, janë të papërfillshme për buxhetin e shtetit krahasimisht me të gjitha gjërat e tjera, krahasimisht me impaktin që ka se sa fëmijë luajnë futboll. Dhe rikthimi i investimeve në futboll është i padiskutueshëm. Ne këto i kemi edhe të provuara, të studiuara dhe do ta bëjmë edhe publike një studim të ekspertëve më të mirë europianë për këtë çështje. Këto investime kthehen shumë shpejt. Dhe sot, pavarësisht se thuhet se futbolli shqiptar ka një impakt të vogël, por sot futbolli shqiptar në ekonomi ka një impakt prej 50 milionë euro në vit. Dhe duke pasur një impakt 50 milionë euro në vit unë mendoj që ia vlen të investosh në të, që pas 2-3 vitesh të kesh 150 milionë euro impakt dhe jo 50.

– Ndërkohë që pas komunikimit të fundit që keni pasur me kryeministrin Rama ku edhe u vendos nisja e kampionatit, grupet e punës e ngritura realisht kanë punuar? Ka pasur takime të tjera?

– Pas premtimit të fundit që kemi pasur nga kryeministri, të gjitha gjërat janë ndërprerë, nuk na ka dhënë përgjigje askush për të bërë asgjë nga ato që janë premtuar. Jemi përpjekur në mënyra të ndryshme dhe të gjithë drejtuesit e Ligës në njëlloj mënyre na janë rikthyer ne, sepse ne i bëmë thirrje që të rikthehemi në garë sepse qeveria do të ribëjë. Dhe na janë rikthyer në një lloj mënyre si prishës të asaj proteste apo atij programi.

UEFA, Armand Duka nominato membro del comitato esecutivo

– Cilat do të jenë format e reagimit tani? Sepse u përjashtua bojkoti, por u tha se do të ketë një tjetër formë reagimi nga klubet.

– Nuk mendoj se mund të jemi gjithmonë në vesh të shurdhër. Unë uroj që dikush të dëgjojë dhe dikush të reflektojë. Të bashkëpunojmë sa më parë për të mirën e futbollit, për të bërë ato ndryshime ligjore që i kemi thënë shumë herë, të domosdoshme për të ardhmen e sportit në Shqipëri, për të siguruar një infrastrukturë minimale. Ne kemi deklaruar, ka kohë, që të ndërtojmë 100 fusha futbolli në Shqipëri.

Dhe kjo nuk do të thotë që të ndërtosh 100 fusha futbolli dhe ne duhet të jemi vendi më i lumtur për futboll, por kjo do t’i jepte një hop të rëndësishëm zhvillimit të futbollit. Edhe po të shohësh, infrastruktura jonë ndër vite ka ardhur në ulje, në vend se të jetë grafiku në rritje dhe për të pasur më shumë, ne e kemi deklaruar këtë projekt, kemi kërkuar të na mbështesë edhe qeveria. Nga i cili të financojmë ne nëpërmjet donatorëve ndërkombëtarë, qeverisë, aplikuesve vendas për të bërë fusha të reja futbolli. Por qeveria e ka refuzuar, kjo nuk do të thotë që ne do ta lëmë me kaq. Atëherë ne do ta financojmë përsëri këtë projekt. Çdo njeri, individ, privat, bashki, klub, çfarëdo që të jetë dëshiron të ndërtojë një fushë futbolli, mund të aplikojë në Federatën e Futbollit dhe ne do të financojmë 50% të atij projekti. Tani, kur një Federatë kaq e vogël, e brishtë, me kaq pak aktivitete mund të financojë një aktivitet të tillë, a nuk mundet edhe qeveria të financonte 30% të këtij projekti? 5% minimumi? Por thjesht vetëm një përgjigje negative.

– Ju përmendët 100 fushat dhe në fakt ka pasur disa thumbime në distancë midis jush dhe zv.kryeministrit Erion Braçe, i cili njihet edhe si një tifoz i futbollit. Nuk e di nëse keni një koment për atë se çfarë ka thënë së fundmi Braçe në lidhje me 100 fushat, janë bërë edhe disa fusha në rrethin që ai përfaqëson dhe u shpreh se nuk na duhet ndihma e Federatës.

– Nuk e kam fjalën për minifusha. Nëse është bërë ndonjë minifushë, mirë është bërë. Por e kam fjalën për fusha natyrale, jo për mua, jo vetëm për djalin e Braçes, por edhe për djalin e Braçes dhe për të gjithë djemtë e tjerë që të luajnë futboll. Nuk ka nevojë as të bëjmë ironi, por le të kontribuojnë dhe të bëjnë fushat. Nuk më intereson më shumë. Të bëhen fushat.

Nations League, Albania wins 3-2 against Belarus, ranks first in Group 4 | Albanian Telegraphic Agency

– Ndalemi pak te sezoni futbollistik. Kemi hyrë në fazën e dytë në Kategorinë Superiore. Tashmë i shohim skuadrat që janë në krye të tabelës, ato më pretendente për titull deri diku, që shfaqen edhe aspiratat për këtë arritje apo edhe për Europën. Nuk e di si e keni parë këtë fillim sezoni. Është rritur cilësia? Pretendimet duken se janë rritur, sepse ka shumë skuadra që pretendojnë. Por a është rritur apo është ulur cilësia e lojës?

– Viti 2020 ka qenë vit i vështirë, ka ndikuar në performancën e futbollistëve dhe ekipeve. Dhe unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë rritje kualitative le të themi gara, sepse në një garë, kur 5 futbollistë i ke jashtë me Covid, që nuk duhet të stërviten një muaj dhe duhet të rikthehen dhe ndërprerje, etj., padyshim që edhe nuk mund të pretendojmë për një rritje cilësie. Por një rritje konkurrence po. Ka pasur konkurrencë. Por faktikisht edhe në edicionin e kaluar, relativisht konkurrenca ka qenë e tillë. Ka pasur konkurrencë dhe të gjithë ekipet janë në garë dhe të gjithë ekipet mund të vazhdojnë të pretendojnë titullin. Të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore.

Rezultatet kanë qenë interesante. Ka pasur edhe lojëra të bukura në fakt, ka pasur një rikthim simpatik të Vllaznisë, pas shumë vitesh vuajtje, tashmë në vendin e parë, me lojëra të bukura, me gola të shënuar, me një organizim akoma më të mirë. Ekipet e tjera të cilat nuk mbeten pas nga pikëpamja sportive, Partizani që fitoi ndeshjen e fundit kundër Kukësit, por gjithsesi Kukësi mbetet një ekip solid, i mirë, me kualitet. Tirana, Teuta, Laçi ka një ekip i cili mund të pretendojë. Kështu që gara është e bukur për mua deri tani dhe uroj të vazhdojë e bukur deri ditën e fundit.

The national team with advantages over Belarus, Albania with more technical qualities - Sport

– Do të ishte më mirë që titulli pas dy vitesh të kalonte në rrethe? Ndoshta për t’i dhënë pak jetë?

– Titulli nuk rrotullohet në tavolinë, por në fushë. Kështu që do ta fitojë titullin, ai që do të bëjë një kampionat më të mirë. Unë kam qenë tifoz i Vllaznisë dhe më pëlqen që Vllaznia të dalë kampione.

– Meqenëse jemi te Vllaznia, ka pasur disa polemika kohët e fundit, në ndeshjen midis Vllaznisë dhe Partizanit, ku u pa që kishte edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh në shkallët e stadiumit. Është marrë një vendim, një gjobë 2 milionë lekë të vjetra ndaj klubit, ndërkohë që raste të tilla kanë ndodhur edhe në ndeshje të tjera si derbi. Pse Komisioni i Disiplinës veproi në këtë mënyrë me këtë masë vetëm ndaj Vllaznisë dhe jo në rastin e derbit? Ka një lloj anësie?

– Respektimi i protokolleve anti-covid është më shumë i rëndësishëm për shëndetin e njerëzve, për shëndetin e atyre që vijnë në stadium, shëndetin e sportistëve dhe të gjithë atyre drejtuesve të skuadrave. Vetë klubet duhet të jenë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme që t’i respektojnë ata.

FSHF përmes zyrtarëve të saj duhet të kërkojë respektimin maksimal të tyre, në bashkëpunim edhe me autoritetet shëndetësore. Por nëse ka raste që e cenojnë dhe ato që janë rregulla të zbatohen për të gjithë njësoj. Nëse ka një anësim, gabim është. Nëse një rast është gjobitur dhe një jo, nëse një është paralajmëruar dhe një jo. Varet nga gjykimet që kanë bërë dhe nga faktet. Në përgjithësi protokollet janë respektuar. Mund të ketë pasur ndonjë rast të veçantë, siç thoni në Shkodër apo ndonjë rast tjetër. Por mirë është të mos ndodhin. Thashë mos të ndodhin më shumë për të ruajtur jetën dhe për të penguar sa më shumë shpërndarjen e virusit.

Albanian Daily News

– Ndërkohë, ka pasur edhe disa ndryshime të rëndësishme në statutin e FSHF-së. Disa ndryshime që është thënë janë marrë nga modelet e statutit të UEFA-s dhe FIFA-s dhe kanë qenë pika të diskutueshme ato të kandidimit të individëve që duan të marrin pjesë në garën për president të Federatës. Fakti që duhet të jetë rezident në Shqipëri, një pikë që ka qenë edhe më parë dhe tjetra që individi nuk duhet të jetë aktiv në politikë. Pavarësisht se janë modele të marra dhe pozitive, mos ndoshta janë përshpejtuar për të favorizuar Dukën në zgjedhjet e ardhshme?

– Statuti nuk ka asnjë ndryshim në këtë pikë. Para se të vija unë në Federatë dhe pasi jam unë, kjo pikë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Ka qenë pa asnjë presje, që të jesh president i Federatës së Futbollit duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë e konsideroj të drejtë. Kjo nuk do të thotë që nëse ti jeton jashtë dhe je shqiptar dhe nuk ke të drejtë të kandidosh. Duhet të vish në Shqipëri, të thuash që do të konkurroj për president të FSHF-së, por gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë mendoj që është logjike. Është e vështirë ta bësh nga jashtë. Gjithsesi nuk është një gjë që ka lidhje me ndryshime, siç dikush ka dashur ta interpretojë ashtu. Nuk ka asnjë lidhje.

Përsa i përket personave politikë, tendenca për shkëputjen e politikës me sportin ka qenë e përhershme, në të gjitha ndryshimet e statutit në shkallë të ndryshme. Në ndryshimin e fundit akoma më shumë. Janë vënë disa kritere tani, që pengojnë vërtetë vartësinë politike të FSHF-së nga ndonjë parti politike. Kështu që janë politika të qarta, jo vetëm të FSHF-së, por të gjithë Federatave të Europës. Madje, Kosova që ne e kemi afër, pikërisht këtë ndryshim e ka bërë që 3 vite më parë. Madje, edhe deputetët më duket se i ka përjashtuar nga kandidimi. Nuk ka asnjë të keqe. Federata e Futbollit duhet të menaxhohet dhe drejtohet nga njerëzit që mendojnë vetë njerëzit e futbollit.

– Ndalemi pak te Kombëtarja. Në vitin 2020 që lamë pas, Liga e Kombeve ka qenë testi kryesor për kombëtaren. Deri diku jemi shprehur të kënaqur për pozicionin që arritëm, vendin e parë në grup, megjithatë a ishte testi real për Kombëtaren tonë duke pasur parasysh edhe kundërshtarët?

– Testi ishte i vështirë, sepse ishte në kohë të vështira. Në kohë pandemie, ku trajneri nuk mund të parashikonte formacionin me të cilin do të luante në ndeshjen e ardhshme, për arsye të protokolleve, për arsye të infektimeve me Covid-19, për arsye të moslejimit të futbollistëve nga disa shtete për të marrë pjesë në aktivitet. Pra, ka qenë vërtetë i veçantë, i vështirë, por gjithsesi në fund mund të themi që ia dolëm mbanë. Nuk mund të themi që ia dolëm me bindje. Ishte më shumë një aktivitet për t’u mbaruar dhe le të themi për t’u fituar se sa testi real për këto arsye.

Por në një farë mënyre për ta parë gjysmë plot gotën, kjo na bëri që të testojmë më shumë futbollistë të rinj, të cilët vërtetë bënë një paraqitje të mirë dhe të cilët vërtetë i japin shpresë ekipit për të ardhmen, na japin më shumë besim për të ardhmen. Mbase po të mos ishim në kushte të pazakonta iniciativa për t’i aktivizuar këto të rinj 18-19 vjeçarë, që është e paprecedentë në Shqipëri, do të ishte paksa më e stepur, pra nuk do ta merrnim këtë iniciativë. Kështu që në këtë këndvështrim më mirë që kemi aktivizuar të rinj, testin nuk mund ta konsiderojmë real. Test real do të jetë nëse në eliminatore do të kthehen tifozët, do të përfundojë kufizimi i lëvizjeve dhe çdo ekip do të ketë të gjitha potencialet e veta në dispozicion, siç shpresojmë të jetë viti 2021.

Duka konfirmon trajnerin Reja - Tv Klan

– Sfida e radhës do të jenë eliminatoret e Botërorit 2022. Është folur pasi pamë edhe shortin, pasi u zbuluan edhe kundërshtarët, u tha se objektivi kryesisht është vendi i tretë. Megjithatë, po ashtu është folur edhe për një objektiv të fshehur të Dukës, që është synimi për vendin e dytë. Besoni fort që edhe kjo mund të ndodhë. Ka pasur një diskutim mes jush dhe trajnerit Reja për ta bërë të mundur këtë gjë?

– Asnjë skuadër pothuajse në Europë nuk është e lehtë, asnjë ndeshje nuk ftohet në letër, asnjë ndeshje nuk humbet në tavolinë. Kështu që duhet t’i përgatisësh mirë. Padyshim që procedura me të cilën hidhet shorti, vazot nga vijnë, niveli i ekipeve, Anglia është një ekip shumë i mirë. Hungaria gjithashtu ka një moment shumë të mirë dhe fatkeqësisht kemi një histori shumë të keqe me hungarezët. Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në të gjithë historinë e saj kundër Hungarisë. Polonia një ekip tjetër shumë i madh me lojtarin më të mirë të vitit në formacion, por edhe me shumë talente të tjera e që kanë bërë mirë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet t’i provojmë të gjitha shanset tona. Çdo pozicionim nga vendi i parë e deri te treti do të ishte i kënaqshëm, por gjithsesi duhet të tentojmë për të shkuar në play-off.

Ne akoma pretendojmë të shkojmë në play-off qoftë edhe nga Nations League apo nga vendi i dytë i eliminatoreve të Botërorit, por në renditjen e Nations League ne jemi në vendin e 11-të dhe nëse le të themi 9 nga këto skuadra të kësaj renditjeje do të pozicionohen në vendet e para dhe të dyta në eliminatoret e Botërorit atëherë ne mund të sigurojmë një vend në play-off nga Nations League.

Faktikisht, prandaj ajo fitorja e munguar me Lituaninë do të na peshojë, sepse po ta kishim fituar atë ndeshje në Tiranë mbase nuk do të ishim në vendin e 11-të, por mund të ishim në vendin e 10-të dhe shanset tona për play-off do të ishin edhe më të mëdha. Ne kemi një skuadër kompetitive dhe unë kam besim se mund të luajmë si të barabartë ndaj çdo kundërshtari. Ne na ka marrë edhe Andorra barazim në Elbasan në nëntor të 2019-s, por ne mund të fitojmë kundër Anglisë në Tiranë padyshim.

– Në mars do të presim Anglinë, një skuadër që besoj çdo tifoz shqiptar do të donte ta shihte në stadium. Kur do të nisin tentativat e Federatës me qeverinë për të rikthyer të paktën një pjesë tifozësh në shkallët e stadiumeve?

– Nuk mund të themi asgjë për momentin, kjo padyshim është edhe dëshirë e jona, dëshirë e të gjithëve e sidomos e futbollistëve, të cilët duan të kenë motivimin e tifozëve në shkallët e stadiumit. Edhe ne kemi aq shumë nevojë për atmosferë në fund të fundit pas gjithë këtyre zhvillimeve jo pozitive, por kjo nuk varet nga ne. Varet se si do të shkojë grafiku i përhapjes së virusit në Shqipëri, por uroj shumë që të kemi tifozë dhe duket jo vetëm si një urim, por si një shpresë reale.

– Rezultatet në ekipet kombëtare të moshave për vitin 2020 si do t’i vlerësonit? Kemi bërë hapa para?

– Me të gjitha ekipet kombëtare ne kemi bërë shumë aktivitete, grumbullime, miqësore, seleksionime, testime. Ne vazhdojmë të bëjmë akoma, por fatkeqësisht aktivitetet ndërkombëtare zyrtare për këtë vit, aty ku maten forcat në një farë mënyre, nuk kemi patur.

Ekipi Shpresa për mua, jo vetëm që bëri një edicion shumë të mirë, duke u klasifikuar në vendin e tretë në grup, gjë që nuk e kemi arritur asnjëherë pas viteve ‘90, por edhe solli shumë futbollistë të rinj. Nga ndeshja në ndeshje më shumë se 5-6 futbollistë kanë kaluar nga ekipi U-21 te Kombëtarja A. Kjo tregon një zhvillim pozitiv. Ekipet e moshave U-15, U-17, U-19 janë stërvitur e janë testuar në aktivitete e seleksionime të brendshme, por akoma nuk kanë marrë pjesë në teste zyrtare.

– Ndërkohë një projekt i lënë në mes ishte ai i trajnerit Nevil Dede, i cili tashmë është transferuar te skuadra e Tiranës, dhe kombëtares U-19. Jeni të zhgënjyer për faktin që Dede u largua nga kuqezinjtë?

– Absolutisht jo. Ai para se të merrte një vendim ka diskutuar me ne. Ka menduar se është momenti që ta ndihmojë klubin e Tiranës dhe të ndërmarrë një aventurë të re, në të cilën ne e kemi mbështetur dhe përkrahur në fund të fundit. Vetë Nevili dhe çdo trajner tjetër duhet të japin kontribute maksimale për futbollin dhe pak rëndësi ka, nëse e bën për ekipin kombëtar apo për klubet.

– Kush do të jetë pasuesi i tij në stolin e ekipit U-19?

– Do të riorganizojmë të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, sepse u ka përfunduar kontrata të gjithëve. Mund të ketë rikonfirmime, mund të ketë lëvizje, kjo do të jetë pjesë e diskutimeve. Ne kemi bërë një riorganizim total teknik në FSHF, kështu që do të ulemi bashkë me stafin teknik së shpejti.

– A është Emanuel Egbo në planet e Federatës? Sepse është folur që ka pasur kontate me të për këtë post.

– Nuk e di, të gjithë mund të jenë të mundshëm, do t’i shohim me radhë të gjitha opsionet.

– Ka pasur edhe një tjetër lëvizje në role drejtuese sipas asaj që përflitet, më konkretisht drejtori i ri teknik i ekipeve kombëtare është Giancarlo Camolese. Është thënë që ka ardhur prej disa muajsh, por nuk është bërë zyrtare nga FSHF. Pse ka ndodhur kjo?

– Camolese është një njohje e vjetër e FSHF, madje ne 10 vite më parë kemi diskutuar me të edhe mundësitë e të qenit trajner i ekipit kombëtar dhe në atë kohë në Shqipëri do të vinte Gianni De Biasi. Është vërtetë një profesor i botës së futbollit, i nivelit akademik. Është lektor në Koverçiano, ka qenë trajner i Torinos dhe autor i shumë librave apo studimeve për futbollin. I kemi propozuar që të jetë drejtor teknik i FSHF-së me shumë dëshirë dhe mendojmë që e bën shumë mirë atë punë. Kemi nisur një lloj bashkëpunimi që në verë, por ai akoma nuk e kishte vendosur nëse do të vinte përfundimisht, në një kohë që i ka shërbyer kjo periudhë për të njohur ambientin dhe për të propozuar projektin e tij në lidhje me strategjinë teknike, që ne mendojmë se duhet të bëjë drejtori teknik bashkë me drejtorinë teknike. Duket sikur jemi në momentet finale, por realisht akoma sot ne nuk kemi bërë një kontratë me Camolesen dhe uroj që brenda janarit kjo të ndodhë dhe ai të nisë punë zyrtarisht.

Duka: Reja strateg, duam 'Euro 2024' – Sporti im

– A ka ndikuar ndopak opinioni i Rejas për Camolesen? Sepse thuhet që kanë marrëdhënie miqësore me njëri-tjetrin dhe trajneri e ka kërkuar ta ketë këtu.

– Personalisht e njoh qysh në kohën kur ne zgjodhëm De Biasin, është raportuar madje në media si kandidat për stolin e Kombëtares. Kemi biseduar edhe një herë tjetër rreth 5 vite më parë, kur Camolese ka qenë në Shqipëri për të njëjtën gjë, të cilën në atë kohë nuk e ka pranuar, sepse ishte i impenjuar në Koverçiano, ku vazhdon të jetë i impenjuar. Padyshim, që kemi marrë edhe opinionin e e Edi Rejas, sepse është një nga ekspertët më të mirë të futbollit në Itali dhe ka njohjet e veta. Ai e ka përkrahur opinionin tonë.

– Vendimi për zhvillimin në Tiranë të finales së edicionit të parë të Conference League në vitin 2022 ka qenë një lajm shumë pozitiv për futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Sa prisni që të jetë fitimi, jo vetëm i Federatës dhe futbollit shqiptar, por i gjithë Shqipërisë nga ky kompeticion? Cilat janë pritshmëritë?

– Është vendim historik për futbollin shqiptar dhe për Shqipërinë në përgjithësi. Nuk ka pritur ndonjëherë Shqipëria aktivitete të rëndësishme të këtij niveli, sportive jo e jo, por edhe në fusha të ndryshme. Ka kohë që ka qenë një objektiv i joni, qysh në nisje të ndërtimit të stadiumit, madje gjatë fazës së projektit ne kemi aplikuar për të qenë pjesë e garave për të marrë finalen e një kompeticioni europian në Tiranë.

Por nuk është thjesht një aplikim, një kërkesë, por është një volum i madh pune, që administrata e Federatës e ka bërë shumë mirë në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, të cilët kanë qenë të gatshëm dhe shumë miqësorë me ne në mënyrë që të paraqisnim një prezantim sa më serioz. Nga të gjithë, nga institucionet shtetërore, nga sipërmarrësit në fushën e turizmit, aeroporti, etj., na kanë ndihmuar që ne të bëjmë një prezantim sa më të mirë dhe kjo ka bërë që ne t’i bindim vendimmarrësit që Shqipëria vërtetë mund të organizojë një finale të tillë.

Jemi rrëzuar në një garë, kemi fituar në një garë tjetër dhe realisht objektiv më i bukur për ne ishte Conference League për arsyen se është historike finalja e parë e një turneu dhe do të mbetet pikërisht në histori kjo ndeshje e luajtur në Tiranë. Jam i bindur që edhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka marrë vendimin e duhur, padyshim që nuk janë penduar, sepse ne edhe të gjithë aktorët e tjerë që përmenda, do të organizojmë një aktivitet perfekt për ta kthyer këtë në një mundësi për Shqipërinë dhe jo vetëm për futbollin shqiptar. Ky nuk është thjesht një benefit ekonomik. Padyshim që kjo nuk mungon, sepse shumë njerëz do të hyjnë dhe dalin në Tiranë gjatë kësaj periudhe, por është edhe një benefit për të prezantuar vendin tonë në Europë dhe unë mendoj që ky është benefiti më i madh.

Air Albania Stadium (National Stadium) - Tirana - The Stadium Guide

– Jeni shprehur së fundmi se jeni optimist që do të ketë një ndihmë nga UEFA sa i përket pjesës së fushës së stadiumit “Air Albania” që duhet ribërë. Bëhet fjalë për një investim rreth 900 mijë euro që nevojitet. A keni marrë një përgjigje nga UEFA për këtë çështje?

– Ne tashmë e kemi vendosur që do ta rinovojmë fushën e stadiumit, që në janar kemi nisur punën për vendosjen e impiantit të ndriçimit, që zëvendëson atë që i mungon stadiumit, rrezet e diellit apo edhe ventilimin, që janë vërtetë të kushtueshme. Kjo procedurë do të bëhet për ndeshjen e marsit, për të përmirësuar fushën aktuale që është. Ne edhe mund ta kishim ndërruar për të bërë një fushë hibride, që do ta stabilizonte përfundimisht kualitetin e fushës, por duke pasur parasysh periudhën janar-shkurt, që nuk është përshtatshme për mbjelljen dhe rritjen e barit, ky proces do të bëhet pas marsit dhe do të jetë gati në qershor përfundimisht. Por gjithsesi fusha në mars do të jetë goxha e përmirësuar, por e njëjta fushë. Në qershor do të kemi fushën e re me bar të përforcuar.

Në projektet që ka UEFA ne kemi përfituar diçka për stadiumin dhe nuk është se jemi shumë komod, por duke pasur parasysh që në këtë stadium do të luhet edhe finalja e Conference League në 2022, duke pasur parasysh gjithë këtë investim të madh dhe Federatën tonë që është le të themi me financa të kufizuara ne e kemi kërkuar këtë suport nga UEFA dhe kemi besim që në mos 100% do të na mbështesë me një pjesë të saj.

– Meqenëse jemi në këtë ndryshim kapitujsh, doja të dija çfarë ka mbetur ka u finalizuar, cilat nga objektivat që keni pasur në krye të Federatës dhe një synim për vitin 2021?

– Objektivi kryesor i nisur, jo në 2021-n, por edhe më parë dhe që mendoj se i duhet futbollit shqiptar është ndryshimi i infrastrukturës. Padyshim që në Shqipëri janë bërë shumë investime, qoftë nga FSHF, qoftë nga qeveritë apo bashkitë, por janë të pamjaftueshme për atë që duhet dhe ndryshimi i kësaj infrastrukture dhe nëse ne vërtetë do t’i ndërtojmë ato 100 fushat do na jepte një hov cilësor. Sepse direkt do të ndikonte në rritjen e numrit të fëmijëve që do të luajnë futboll dhe rritja e këtij numri padyshim që do të sillte edhe futbollistë cilësorë, përveç të tjerave.

Objektivat tonë mbeten infrastruktura, futbolli i fëmijëve dhe futbolli i vajzave. Ne e kemi nisur me vonesë, kemi bërë hapa shumë të mirë deri tani, jemi përqendruar shumë dhe e kemi incentivuar e do ta incentivojmë akoma më shumë që të kemi sa më shumë vajza që luajnë futbolll, që arbitrojnë futboll, që drejtojnë në futboll e që janë pjesë e lojës sonë, pjesë e komunitetit sportiv. Këto janë objektivat kryesorë për të ardhmen, pastaj rezultati, kualifikimi apo ngjitja, këto janë objektiva të përhershme në sport.

– Janë objektiva e plane afatgjata, kështu që kam përshtypjen që lind nevoja edhe për një mandat tjetër mesa po kuptoj?

– Çdo njeri me apo pa mandat në çdo lloj fushe të jetës duhet të ndërtojë strategji afatgjata të bazuara në shifra dhe fakte, të argumentuara mirë e duke qenë i sigurt se ku do që të shkosh. Mirë është që ti ose kushdo tjetër t’i vazhdojë ato strategji për të mirën e punës.

– Për në fund kam përgatitur një pyetësor të shkurtër. Ju keni kaluar shumë trajnerë dhe kapitenë në Kombëtaren shqiptare dhe janë pikërisht trajneri dhe kapiteni ata të cilët kanë edhe më shumë komunikim me presidentin e Federatës. Kështu që do të doja të ma zbulonit, cili ka qenë sipas jush trajneri më profesionist në këto rreth 20 vite në Kombëtaren shqiptare?

– Është pyetje e vështirë, sepse të gjithë kanë karakteristikat e tyre. Unë i vlerësoj të gjithë pozitivisht në fakt të gjithë trajnerët me të cilët kam bashkëpunuar, por ai që ka lënë gjurmë në histori është Gianni De Biasi, sepse u kualifikua për në finalet e Europianit “Francë 2016”. Rezultatet i japin të drejtë De Biasit dhe gjithashtu kapitenit të tij, Lorik Cana. Uroj që të na çojë Edi Reja me Elseidin apo Etritin sërish në Europian dhe pastaj radhën tjetër do të them për këto.

– Trajneri më zhgënjyes për ju? Besoj se a pasur edhe trajnerë që ju kanë zhgënjyer?

– Në fakt, më zhgënjyesi për mua ka qenë Christian Panucci.

– Në rang kapitenësh a ka pasur ndonjë që ju ka zhgënjyer?

– Kapitenët që kemi pasur janë të gjithë të mirë. Sinqerisht, nuk e them sepse rëndom duhet të flasësh mirë, por në përgjithësi ne kemi fat me djemtë që luajnë në Kombëtare. Kemi pasur vazhdimisht djem shumë të mirë dhe shumë të edukuar, të përkushtuar.

Padyshim që mosha në të cilën luajnë nga 20 deri në 30 vjeç po themi është relativisht një moshë e re, por mënyra se si sillen, mënyra se si përkushtohen në ekip është vërtetë për t’u lavdëruar. Unë e njoh shumë mirë edhe botën e futbollit përtej kufijve shqiptarë dhe mendoj që jemi me fat me të gjithë djemtë që luajnë në përfaqësuesen tonë. Dhe kapitenët që janë zgjedhur kanë pjesë pikërisht e këtyre brezave kaq pozitivë. Ndërsa sa i përket karakteristikave të kapitenit, lider lind dhe këtu nuk duhet të gjykosh.

Ndaj Lorik Cana në një farë mënyre është një lider i lindur. Të tjerët janë shumë të mirë, por të jesh lider është pak i vështirë.

– Ju përmendët Panuccin si trajnerin më zhgënjyes dhe në fakt një vit më parë është përfolur se tekniku hapi një gjyq ndaj FSHF dhe kërkonte një sasi të konsiderueshme parash. Çfarë ka ndodhur më këtë çështje?

– Ai vazhdon të kërkojë bonuse për fitoret e ekipit Kombëtar pasi ai është larguar nga ekipi, gjë që ne nuk e gjykojmë të drejtë dhe jemi në gjyq.

– Po trajneri më kërkues ndaj Presidentit, cili ka qenë?

– Në fakt, trajnerët kanë një lloj karakteristike të përbashkët. Sa më shumë të fitojnë, aq më shumë kërkojnë, kur humbasin kërkojnë më pak. Në fakt, duhet të jetë e kundërta, kur humbasin duhet të kërkojnë më shumë, por tërhiqen pak kur humbasin dhe kur fitojnë kërkojnë shumë që të gjithë.

– Trajneri më strikt e që kishte një disiplinë të hekurt në raport me skuadrën?

– Korrekt kanë qenë të gjithë, të disiplinuar, por i besojnë asaj që thonë dhe kontrollojnë diçka më pak në përgjithësi. Ai që ka qenë më strikti e që ndiqte parimin beso-kontrollo, ka qenë Dossena.

– Ka pasur trajnerë me të cilët ju keni ruajtur raporte miqësore. Kush është trajneri me të cilin ju jeni miq të mirë?

– Kam marrëdhënie të mira me të gjithë ata që kanë qenë trajnerë në Shqipëri. Fatkeqësisht dy prej tyre janë ndarë nga jeta, së fundmi Otto Baric, familjen e të cilit gjej rastin ta ngushëlloj publikisht. Një super-trajner dhe një super-njeri, një profesor i vërtetë. Me të gjithë kam ruajtur kontaktet, madje edhe me Brigelin, i cili ka punuar për ne rreth 18 vjet më parë.

– Një ndër detyrat e kapitenëve është edhe diskutimi i premiove. A ke pasur ndonjë që ka qenë më rebeli në këtë drejtim?

– Asnjëri, të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Në të gjithë ekipet e tjera mbase flasin që përpara ndeshjeve për premiot, ndërsa djemtë tanë kurrë nuk na pyesin a do të ketë premio apo jo. Pas ndeshjes padyshim që të gjithë gëzojnë, por gjithmonë në kufijtë e të bukurës.

– A mund ta zbulojmë premion më të madhe që është marrë ndonjëherë në Kombëtare?

– Padyshim që ka qenë për pjesëmarrjen në Europian.

– Ju falënderoj. Ishte një intervistë shumë e këndshme dhe ju urojmë suksese në këtë vit të ri. Sukseset e Federatës përkthehen edhe në sukseset e futbollit shqiptar, kështu që këtë duam të shohim, një futboll sa më të fuqishëm dhe sa më të bukur e cilësor për tifozët tanë.

– Faleminderit juve. Edhe unë dua t’ju uroj juve dhe të gjithë atyre që na ndjekin, të gjithë komunitetit sportiv dhe të gjithë shqiptarëve, një vit sa më të mbarë 2021, sa më të shëndetshëm e sa më të suksesshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit