Rrëfehet Broja, zbulon “ultimatumin” e babait: Nuk të falet, po nuk e dërgove Shqipërinë në Botëror

29 Shtator 2022
15:52
Alfred Lleshi
back button

Pritej shumë prej tij në dy kualifikueset përmbyllëse të edicionit të Ligës së Kombeve, por mori jo pak kritika. Ndaj Izraelit luajti si titullar dhe shpërdoroi dy raste ideale për gol, ndërsa ndaj Islandës u aktivizua në pjesën e dytë. Armando Broja nuk dalloi dot nga stonatura e kuqezinjve.

Tashmë është kthyer te Chelsea me shpresën për të pasur më shumë hapësira aktivizimi. Ndërkohë, “Players Tribune” ka zhvilluar një intervistë me yllin shqiptar, duke hedhur më shumë dritë mbi karrierën e tij. Rrëfimin për atë që ka arritur në futboll e ka bërë vetë Broja, duke nënvizuar:

“Mami dhe babi më kanë qëndruar gjithmonë pranë, më kanë ndihmuar. Unë mendoj se njerëzit nuk i vlerësojnë prindërit e tyre mjaftueshëm. Ne vijmë nga Shqipëria, e cila ka qenë e zhurmshme atëherë. Babai shkonte në punë shumë orë gjatë ditës, ishte shumë e vështirë për të. Kur vinte në shtëpi nga puna, më pyeste: Armando, a je stërvitur? Unë i thoja se po, por e dinte se po e gënjeja.

Më nxirrte jashtë që të stërvitesha, donte që patjetër të kisha sukses në futboll. Më thoshte të bëja 20 xhiro rreth fushës, unë i kthehesha: Babi, pse? Nuk dua të të dëgjoj më përgjigjej, bëj 20 xhiro rreth fushës. Nëse e nisja qetësisht, pa dëshirë, atëherë përfundoja me 30 xhiro.

Unë nuk dija shumë për kulturën e Shqipërisë kur isha i vogël. Prindërit flisnin vetëm shqip në shtëpi, aty e mësova edhe unë shqipen. Ne nuk shkonim askund tjetër përveç Shqipërisë, ktheheshim në çdo vit atje. Kjo më ka kthyer në personin që jam sot. Kur fillova që të rritesha më shumë, babai më thoshte se do të humbisja shpejtësinë. Prandaj më nxirrte që të vrapoja dhe të vrapoja.

Në fillim e nisa në ekipin e zonës tonë duke luajtur futboll. Një skaut i Tottenhem erdhi aty për të parë një lojtar tjetër, por unë dola golashënuesi më i mirë i turnout. Ai kishte folur me prindërit e mi dhe më kishte kërkuar. Kur prindërit më thanë, unë u habita: Kush është Tottenham? Realisht nuk njihja asnjë ekip tjetër përveç atij të zonës ku isha.

Kushëriri i mamit tim ishte tifoz i çmendur i Chelsea. Ai më merrte në stadium në çdo ndeshje të Chelsea kur isha 4 vjeç. Prandaj u bëra tifoz i Chelsea. Madje edhe kur isha te Tottenham e doja Chelsea. Doja t’i mundja ata, që t’iu tregoja stafit të tyre që të më merrnin. Më kujtohet debutimi i parë me Chelsea. Po fitonim 4-0 me Everton dhe pashë Livramento që hyri në fushë 10 minuta para meje.

Po mendoja dhe e ndieja se do të vinte një shans për mua. Kur më thërret Lampard: Bëhu gati, do të hysh në fushë, ti je gati për këtë! E humba në atë moment, doja të bëhesha gati, por po dridhesha i gjithi. Më tha që ta shijoj momentin dhe kështu bëra. Kjo më dha shumë besim, e falënderoj Lampard.

Fola me Tuchel dhe më tha që të shkoja në huazim te Southampton. Shkova atje për t’i treguar sesa vleja, megjithëse nuk dija se çfarë të prisja nga një ekip si Southampton. Edhe trajneri Hasenhutl tha se nuk e nisa me temp të mirë te ky ekip.

Goli i parë ishte kundër Leeds, po e prisja atë top të Redmond dhe shënova. Ishte momenti më i mirë i karrierës. Të jem shqiptari i parë që shënoj në Premier League…, çfarë mrekullie! Emri im është shënuar në histori tani, shqiptari i parë që shënon në Premier League.

Kur isha 15-vjeç shkova në provë te kombëtaret e Shqipërisë. Atje më thanë: Nuk je i mirë mjaftueshëm. Dy vite më vonë, kur isha 17 vjeç, babai më tha: Si mendon, do ta provojmë edhe njëherë. Në kokën time ishte ideja: Nuk dua të iki atje, sepse më thanë që nuk jam i mirë mjaftueshëm.

Pas një jave shkova te babai dhe i thashë: Mirë, unë do të shkoj, por thjesht do t’i provoj që ata gabuan me mua. Kur shkova, ata më thanë: Kemi gabuar herën e parë, nuk prisnim që të bëheshe kaq i mirë.

Pastaj iu thashë: E dini çfarë? Do të qëndroj me ju! Shkova deri te U-21 e Shqipërisë, pastaj më kërkoi Anglia U-21. Ishte e çuditshme, sepse në të njëjtën kohë më kërkoi direkt edhe ekipi i parë i Shqipërisë. Zgjodha vendin tim, zgjodha vendin e prindërive të mi. Kur luan për vendin tënd është gjëja më e madhe që bën. Ke një shtet të gjithë pas krahëve.

Babai më ka thënë vetëm diçka: Nuk dua ta lësh futbollin pa e dërguar njëherë Shqipërinë në Botëror. Jo për ta fituar, thjesht për t’u kualifikuar. Shqipëria nuk ka shkuar ndonjëherë në Botëror dhe për ne, nëse shkojmë, do të jetë si ta kemi fituar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit