“Kërkoj ndjesë”. Ka qenë kjo deklarata e parë e peshëngritësit Briken Calja pas zhgënjimit në Europianin e shtangës që po zhvillohet në Tiranë. Ai nuk arriti të realizojë asnjë nga provat në peshën 73kg, si në shkëputje ashtu dhe në shtytje, duke mos dhënë rezultat as në dygarësh.
Për mediat, shtangisti nga Shtërmeni, një nga ikonat e këtij sporti, u shpreh mes lotësh se dëmtimi i kohëve të fundit në shpatullën e djathtë nuk e ka lejuar as të stërvitet e as të japë më të mirën në këtë Europian: “Nuk ka qenë e shkruar që kjo garë në shtëpinë time të shkonte ashtu si duhet”.
“Më vjen shumë keq, por kam patur mjaft probleme fizike e shëndetësore. Egoja më bëri që të konkurroja dhe dua t’i falënderoj të pranishmit. Kam kaluar një moment të vështirë javët e fundit dhe me shumë dhimbje. Kjo nuk ishte gara ime, pasi në pedanë ju më njhni se çfarë jam në gjendje të bëj”, tha Calja.
Shtangisti nga Shtërmeni më tej shton: “Shpresoj të rikuperohem sa më shpejt dhe të rikthehem më i fortë në të ardhmen. E kam vërtetuar edhe më parë se mund ta realizoj këtë gjë. Ky është sporti ynë dhe na duhet t’i përballojmë edhe këto momente të vështira”.