Rrëfehet futbollisti i parë shqiptar me “Coronavirus”: Në fillim u trondita, kam frikë për familjen

20 Mars 2020
10:58
Alfred Lleshi

Futbolli është ndalur, lojtarët janë future në karantinë. Dita-ditës janë zyrtarizuar edhe të prekurit me “Coronavirus” nga ky sport. Shqiptari i parë, futbollist, që ka rezultuar pozitiv, është Valdrin Mustafa. Ish-lojtari i kombëtareve kuqezi të moshave, tashmë pjesë e Kosova U-21, që militon me Hanoverin në Gjermani, ka rrëfyer situatën personale, si u prek nga ky virus, si e mori vesh dhe çfarë shenjash pati. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë me “Top Channel”, ai tha:

“Deri tani jam mire. Më dhemb pak koka dhe fyti, por në përgjithësi jam shumë mirë. Pardje nuk kam qenë mirë, kisha probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë, por tani jam shumë mirë. Kisha probleme me fytin dhe fola me mjekët, më bënë testin dhe të martën në mëngjes mësova se jam pozitiv.

Nuk di nga kush e mora virusin, besoj nga klubi, duke luajtur. Kur e mora vesh, isha pak në panik, ndodhesha në shtëpi. Ky është si një grip, por kisha frikë për prindërit. Babai bëri testin dhe doli negativ. Po presim testin e të gjithë familjarëve të tjerë.

Kisha rreth një javë me simptoma. Në fillim më dhimbte vetëm fyti, pak koka, nuk kisha aspak temperaturë. Doja shumë të flija dhe thashë se do të më kalojë. Por më pas ndjeva dhimbje në gjoks dhe kuptova se diçka nuk po shkonte mirë.

Unë tallesha me shokët e ekipit, iu thoja se kisha “Coronavirus”, por rezultoi që kjo ishte e vërtetë. Të gjithë në klub janë testuar, edhe një lojtar tjetër, që e kam shok të ngushtë, ka dalë pozitiv.

Shpresoj ta kaloj sa më shpejt, kryesorja është të mos prekë pleqtë dhe prindërit. Ne qëndrojmë të ndarë, unë rri vetëm, edhe për të ngrënë. Jam pak i mërzitur, se kisha katër ditë pushim e thashë do të rri me familjen. Por kështu ishte e shkruar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit