Rrëfehet gruaja që shkaktoi aksidentin në Tur: Kam frikë për jetën time

2 Korrik 2021
12:05
Gentian Spiri

Vazhdon të qëndrojë në paraburgim gruaja që shkaktoi aksidentin masiv në etapën e parë të Turit të Francës, ku dhjetra çiklistë u rrëzuan në rrugë. Disa prej tyre pësuan dëmtime dhe disa të tjerë u tërhoqën nga turneu.

Shkak u bë një 30-vjeçare franceze, që mbante një pankartë, e cila pengoi çiklistët, që më pas u rrëzuan njëri pas tjetrit në një rrugë të ngushtë. Policia, që vijon hetimet, e ka shtyrë edhe më 24 orë masën e arrestit ndaj gruas.

Bëra një gabim dhe më vjen turp për atë dëm të madh që kam shkaktuar”, mësohet se ka thënë gruaja që jeton në Finistere, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije. Mësohet gjithashtu se ajo u ka thënë hetuesve se ka frikë për jetën e saj pas këtij veprimi të papërgjegjshëm që ka kryer.

Hetuesit sqarojnë se personaliteti i gruas është “lehtësisht i thyeshëm” dhe se duhet ruajtur qetësia, për të mos rënduar gjendjen e saj psikologjike. Pritet që ajo të dënohet me 1500 euro gjobë, ndërkohë që shumica e çiklistëve nuk e kanë denoncuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit