UFC-246, rrëfehet McGregor: Ja pse vendosa të dueloj ndaj “kaubojsit” Cerrone

13 Janar 2020
12:32
Telesport
back button

Pas 16 muajsh pushim, Conor McGregor do të rikthehet në kafaz këtë fundjavë. Më 18 janar, në Las Vegas do të zhvillohet eventi UFC-246, ku irlandezi do të duelojë ndaj Donald “Cowboy” Cerrone. Një event ku biletat janë shitur prej kohësh, çka konfirmon interesin e fansave të arteve marciale mikse për Conor McGregor.

Duke folur për këtë sfidë ndaj Cerrone dhe rikthimin e tij në kafaz, irlandezi tha: “Për mua nuk ka rëndësi pesha ku dueloj. E doja këtë sfidë ndaj “kaubojsit” dhe do ta mundja në cilëndo peshë që ai do të dëshironte. Këtë sfidë do ta fitoj edhe sikur të jem i sëmurë me grip. Jam stërvitur mirë, kam qenë i fokusuar te rivali im dhe jam i lumtur për punën e bërë”.

Irlandezi do të debutojë në këtë peshë “welter” (pesha 71-77kg). “Kjo gjë më pëlqen, pasi do të provoj diçka të re. Ndaj dhe vendosa të dueloj këtu, ndaj Cerrone, pasi ndihem komod dhe e respektoj atë si rival. Ne kemi një histori mes nesh, jemi të dy familjarë që e respektojmë njëri-tjetrin.Gjithsesi, këtu ndihem me shumë energji, i karikuar dhe kjo fitore më hap shumë opsione për të ardhmen”, tha McGregor.

Gjithsesi, irlandezi konfirmon se do të rikthehet në peshën e lehtë, duke synuar një duel me kampionin e këtij Divizioni, Khabib Nurmagomedov. “Nuk kam mbyllur punë me atë peshë dhe atë njeri. Mund të zbres shumë shpejt peshë dhe të dueloj ndaj Khabib në çdo moment”, tha McGregor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit