RTSH nxjerr blof Ligën: S’na e mbyllni dot gojën, e drejta televizive është shitur për 4 vite nga FSHF

19 Tetor 2020
15:03
Alfred Lleshi
back button

Pas vendimit të Ligës Profesioniste të futbollit për t’ia hequr transmetuesit publik të drejtën e përmbledhjes (video) së ndeshjeve të kampionatit tani e në vazhdim, ka reaguar RTSH, duke nxjerrë blof dhjetë presidentët e Superiores. E drejta televizive qenka shitur për katër vite nga FSHF, ndaj ata nuk paskan asgjë në dorë, derisa të mbarojë ky afat kohor:

“RTSH shpreh shqetësimin për prononcimin e presidentit të Ligës Profesioniste të futbollit, z. Edvin Libohova, i cili ka deklaruar para mediave se një prej vendimeve të ditës së sotme të mbledhjes së Ligës Profesioniste është mos përsëritja e kontratës të “highlights”-eve për Kategorinë Superiore. Arsyeja e këtij vendimi, sipas Presidentit të Ligës, është trajtimi që i është bërë kërkesave të tyre gjatë emisionit Rubrika Sportive.

RTSH, së pari siguron se kurrë, për asnjë arsye nuk ka tradhëtuar misionin për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur publikun. Ky qëndrim i Ligës është një tentativë e dukshme për të ndikuar në linjën editoriale të transmetuesit publik. Liga Profesioniste e futbollit mund të bojkotojë Kategorinë Superiore, por nuk mund të vendosë kurrë se si duhet të organizohet një emision televiziv apo si duhet të trajtohen problematika të veçanta në emisionin Rubrika Sportive, e cila ka 50 vjet në transmetim. Kjo nuk është hera e parë që Liga, nëpërmjet përfaqësuesve të saj më të zellshëm, tenton që të ndikojë në emisionet tona, duke provuar të diktojë deri tek të ftuarit në panel apo edhe për kronikat e veçanta.

RTSH, për të qenë sa më e balancuar dhe e pavarur që prej ditëve të para të bojkotit ka ftuar dhe ka patur të pranishëm në studio si përfaqësuesit e Ligës, ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë, apo të ftuar nga FSHF, duke mbajtur mardhënie korrekte me zyrën e shtypit të këtij institucioni. RTSH iu ka dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë të ftuarve për të shprehur mendimin e tyre, apo edhe për të parashtruar tezat apo zgjidhjet për bojkotin e Superiores. Liga Profesioniste e futbollit nuk mund të përpiqet “të mbrojë produktin” e vet në mënyrën më të gabuar të mundshme, duke privuar publikun shqiptar të ndjekë pamjet e kampionatit të vet, nëpërmjet ekranit të RTSH-së.

I bëjmë me dije Ligës, të informohet që të drejtat televizive të Kategorisë Superiore janë shitur për një periudhë 4-vjeçare nga Federata Shqiptare e Futbollit, periudhë e cila nuk ka përfunduar ende. Garantojmë publikun që me zbardhjen e vendimit të Ligës Profesioniste, RTSH do të ndërmarrë hapat e saj ligjorë për të bërë të pavlefshme tentative e radhës për të “bllokuar” studiot televizive që flasin atë që mendojnë dhe jo atë që kërkojnë t’u diktojnë…

Çfarë tha Edvin Libohova mesditën e sotme, pas mbledhjes së Ligës:
“Sot vendosëm t’i heqim të drejtën RTSH-së për të transmetuar momentet më të mira të ndeshjeve të sezonit të ri (të mos ia rinovojmë marrëveshjen) për qëndrimin jombështetës ndaj bojkotit. Kemi gjykuar se, duke parë emisionet, Liga dhe anëtarët e saj kanë qenë dakord t’ia heqin të drejtën e pamjeve nga ndeshjet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit