Sacchi kalon në ‘skaner’ Napolin, Milanin, Juven dhe Interin: Ja kush do të përfitojë nga pushimi për Kupën e Botës

15 Nëntor 2022
10:43
Alfred Lleshi
back button

Një ndalesë si kjo, me një Botëror në mes, nuk është parë kurrë. Pyetja është: çfarë duhet të bëjnë trajnerët? Arrigo Sacchi mundohet t’i orientojë kolegët e tij italianë në këtë drejtim: “Është si të përballesh me diçka që nuk është parë më parë, sepse nuk ka pasur kurrë një ndërprerje të tillë në mes të sezonit në historinë e futbollit.

Nga eksperienca e drejtpërdrejtë mund të them se ata që marrin pjesë në Botëror në fund shtrydhen si limon. Do t’iu duhet shumë kohë për t’u rikuperuar, sepse në ndeshje të një rëndësie të tillë të gjithë japin shpirtin dhe lënë muskujt në fushë.

Duke thënë këtë, përpiqem të qëndroj në anën e trajnerëve: çfarë të bëjmë në këtë periudhë, si të punojmë? Një fakt është i sigurt: është një kohë që duhet përdorur për të korrigjuar ato gabime që u theksuan në pjesën e parë të sezonit. Gabimet individuale dhe gabimet kolektive. Le të marrim katërshen e madhe të Serie A: Napoli, Milan, Juve dhe Inter.

Kush mund të përfitojë nga kjo ndërprerje? Sigurisht Napoli dhe Milani, dhe unë do ta shpjegoj menjëherë pse. Janë skuadrat më bujare, ato që luajnë më shumë futboll europian, vrapojnë shumë dhe ndaj shpenzojnë shumë energji. Napolin, në ndeshjet e fundit e kam parë më pak brilant se zakonisht.

Kundër Udinese shënoi tre gola, më pas ngadalësoi ritmin dhe pësoi dy gola në vetëm pak minuta. Ky duhet të jetë një sinjal për t’u kapur dhe sigurisht Spalletti, i cili është një trajner i aftë, nuk do ta lërë këtë mundësi t’i ikë. Napoli ishte më i forti, magjepsi në Itali dhe në Evropë, por në futboll nuk duhet harruar asnjëherë aspekti sociologjik.

Mjedisi napoletan nuk është mësuar të fitojë, ndaj nëse duan të arrijnë objektivin e madh të titullit kanë detyrimin ta kapërcejnë edhe këtë handikap. Është një ekip, ai i Spallettit, që nuk ka shumë përvojë dhe kjo gjithashtu mund të jetë vendimtare. E rëndësishme është që grupi i lojtarëve të jetë i pjekur, i besueshëm dhe i disponueshëm.

Tani është koha për të hedhur karburant në këmbë, për të demonstruar profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj punës së tyre. Milani mund të përfitojë nga ky pushim, sepse kam parë shumë kuqezinjtë të lodhur dhe me gjuhën jashtë. Pioli do të duhet të jetë i mirë në shfrytëzimin e kësaj periudhe për të gjetur atë skuadër që e lejoi të fitonte titullin sezonin e kaluar.

Milani duhet të kthehet të luajë me 11 elementë në pozicion aktiv, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Megjithatë, tani, kur kundërshtarët e kanë topin, shfaqen gjithmonë dy ose tre lojtarë që marrin pjesë pak. Pioli do të përpiqet ta korrigjojë këtë defekt për të rikrijuar atë grup kompakt dhe koheziv, të ngushtë e të shkurtër, që mund t’i garantojë presionin dhe shpejtësinë e ekzekutimit. Ai është një trajner i zgjuar, di ku t’i vendosë duart. Duhet të shpresojmë që djemtë e tij do ta ndjekin me besim të verbër”.

Fjalimi i ndryshëm nga Arrigo Sacchi për Juven dhe Interin: “Juve humbet 11 lojtarë, që shkojnë në Botëror dhe nuk janë të paktë. Në çfarë gjendje do të kthehen? Është e vërtetë që janë elementë të cilësisë më të lartë, por mundi që kërkon një event i tillë është mbresëlënës dhe nuk janë më shumë të rinj. Allegri, një taktik i mirë, do të duhet të vlerësojë me kujdes statusin e tyre.

Ai do të rikuperojë disa njerëz të rëndësishëm, si Chiesa dhe Pogba, do të mund të mbështetet ende te lojtarët e rinj që kanë dhënë entuziazëm kohët e fundit, por rikthimi është i gjatë, shumë i gjatë. Interi ka 7 lojtarë në Kupën e Botës.

Zikaltrit deri më tani kanë pasur performancë të luhatshme, Inzaghi duhet t’i japë më shumë kurajo skuadrës. Edhe Juve, edhe Interi nuk janë formacione bujare, presin dhe rinisin në bazë të gabimeve të kundërshtarit. Nuk e di nëse pushimi është i shëndetshëm, por sigurisht nëse Interi luan, më në fund do të jetë në gjendje të gjejë një Lukaku në top-formë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit