Sacchi “masakron” Milanin e Piolit: I humbur, pa ide dhe unitet. Këto gjëra paguhen shtrenjtë në Europë

29 Nëntor 2023
13:39
Alfred Lleshi
back button

Përmes faqeve të “Gazzetta dello Sport”, Arrigo Sacchi ka folur për humbjen e Milanit ndaj Borussia Dortmundit: “Gjëja e parë që më vjen të them me keqardhje të madhe është se Milani ka treguar se nuk është ende një ekip.

Dhe nëse nuk jeni ekip, nëse nuk jeni kolektiv, nëse luani individualisht, nëse nuk keni distancat e duhura midis reparteve, nëse nuk shtyni përpara, do të hasni vështirësi në Europë. Rruga drejt kualifikimit për kuqezinjtë është një mision thuajse i pamundur, një lloj Mortirolo për t’u ngjitur.

Shpresoj të kenë sukses në këtë sipërmarrje, edhe nëse duhen kombinuar rezultate të tjera. Sidoqoftë, realiteti është se ky Milan nuk të jep qetësi, nuk përcjell siguri, nuk ka ekuilibrin e nevojshëm”.

Më tej, strategu i trajningut italian vazhdon: “Shumë ulje-ngritje gjatë të njëjtës ndeshje dhe shumë mungesë vëmendjeje, veçanërisht në repartin e mbrojtjes. Shikoni golin e rezultatit 2-1 të gjermanëve: kuqezinjtë janë të pozicionuar keq, dikush shkon për të dyfishuar epërsinë, merr topin dhe e lë të lirë kundërshtarin nga jashtë.

Këto gabime, në nivel ndërkombëtar, paguhen shtrenjtë, është e pashmangshme. Ashtu siç është e pashmangshme të mendosh se ky ekip është ndërtuar këtë verë duke futur shumë fytyra të reja, sidomos të huajt, ndaj duhet shumë kohë për t’i dhënë një identitet të qartë të gjithë grupit”.

Në mbyllje: “Nëse duhen nëntë muaj për të bërë një fëmijë, a duam t’i japim një trajneri kohën e duhur për t’i dhënë substancë projektit të tij? E di që durimi është një cilësi e panjohur për tifozët, e di që të gjithë do të donin më të mirën nga fillimi i sezonit, por në këtë rast duhet pritur, arsyetuar, reflektuar dhe këmbëngulur në idetë që u janë propozuar lojtarëve. Nxitimi, si në futboll, ashtu edhe në jetë, nuk është kurrë një këshilltar i mirë.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit