Sacchi “ngel në klasë” Milanin: Asnjëherë në garën për titull, e gabuar merkatoja që bëri

1 Mars 2024
11:13
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Arrigo Sacchi ka folur për performancën e Milanit këtë sezon.

Si e vlerësoni sezonin e deritanishëm të Milanit?
Gjykimi final është ende pezull. Kampionati është negativ, jo sepse do ta fitojë Interi, por sepse kuqezinjtë nuk kanë qenë kurrë në luftë për titullin. Gjithashtu rëndon eliminimi herët nga Champions League, që në grupe, pas shkuarjes deri në gjysmëfinale të edicionit të kaluar.

Në vlerësim bdikon edhe eliminimi në Kupën e Italisë. Milani duhet të përfundojë i dyti dhe mund ta bëjë këtë, sepse ka më shumë cilësi të përgjithshme se Juve. Po kështu, duhet t’i shkojë deri në fund të Ligës së Evropës. Përndryshe, bilanci nuk do të jetë i mirë.

Cili është shkaku kryesor i kësaj ecurie më të dobët se sa pritej?
Merkatoja nuk u bë mirë. Këtu nuk po iu referohem vetëm cilësive individuale, duke qenë se Pulisic ofroi një paraqitje të shkëlqyer, ndërsa Loftus-Cheek u përmirësua pas një fillimi të vështirë. Për mua, një qendërmbrojtës i besueshëm dhe mbi të gjitha një qendërsulmues produktiv do të ishin të nevojshëm.

Kjo do ta lejonte Giroud të merrte frymë. Fatkeqësisht është e vështirë të integrosh kaq shumë të huaj bashkë. Dhe kam përshtypjen se shumë përforcime të verës së kaluar nuk u kërkuan nga Pioli. Nëse është vërtet kështu, e konsideroj një gabim të rëndë.

Në përgjithësi besoj se mënyra se si është përbërë skuadra nuk është e duhura. Nuk kam parë një projekt siç kishte ndodhur në të shkuarën e afërt, por një sërë operacionesh të palidhura me njëri-tjetrin. Dhe kështu është e vështirë të krijosh një ekip konkurrues.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit