“Samit” drejtuesish te Vllaznia, trajneri Brdaric kërkon fillimin e kampionatit

24 Tetor 2020
13:54
Alfred Lleshi
back button

Trajneri kuqeblu, Brdaric, ka shprehur shqetësimin e tij për bojkotin e gjatë të sezonit të ri futbollistik. Ai është shprehur se nëse nuk fillon kampionati javën tjetër, do të jetë tepër e vështirë të ruhet forma e futbollistëve. Përmes faqes së vet në Facebook, klubi shkodran i futbollit ka hedhur dritë mbi situatën aktuale te Vllaznia: “Skuadra vazhdon normalisht dhe me seriozitetin maksimal procesin stërvitor. Sigurisht, vëmendja e stafit teknik dhe e lojtarëve është e përqendruar te lajmet për fillimin e kampionatit dhe pothuajse çdo ditë drejtuesit e klubit kanë mbajtur kontakte me Federatën Shqiptare të Futbollit për të mësuar më tepër.

Një situatë e tillë sigurisht ka krijuar stres dhe paqartësi për vazhdimësinë. Për këtë qëllim, në stërvitjen e sotme ka qënë e pranishme kryetarja e bashkisë, znj.Voltana Ademi, dhe sponsori Alban Xhaferi, të cilët kanë komunikuar me stafin teknik dhe lojtarët. Nga biseda e zhvilluar duket se fillimi kampionatit ka qenë çështja kryesore, sepse ka krijuar një situatë aspak të favorshme në përgatitjen dhe motivimin e lojtarëve.

Traineri Brdaric është shprehur që, nëse kampionati nuk fillon javën tjetër, është vërtet shumë e vështirë të ruhet i njëjti ritëm dhe motivim: “Kjo situatë shpresojmë të kalojë sa më shpejt dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve, me qëllim që t’i rikthehemi ndeshjeve zyrtare”. Nga ana e tyre, znj.Ademi dhe sponsori Xhaferi kanë shprehur mbështetjen e plotë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve dhe kanë premtuar se do të bëjnë të gjitha lëvizjet e duhura për të nxitur në mënyrë pozitive fillimin e ndeshjeve zyrtare”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit