Sarri me dy mungesa të mëdha, gjithçka duhet të dini për Milan-Juventus

7 Korrik 2020
9:27
Alfred Lleshi
back button

Milani sfidon kryesuesit e Juventusit në ndeshjen e madhe të javës së 31-të të Serie A, e cila do të luhet sonte në “San Siro”, prej orës 21:45. Ne po ju njohim me gjithçka në lidhje me këtë supersfidë, nga situate në të dyja kampet deri te formacionet e mundshme. Ora e së vërtetës fillon për Juventusin e Maurizio Sarri, i cili, pasi ka zgjeruar avantazhin ndaj Lazio së Simone Inzaghi, ndjekësit më të afërt, do të përpiqet t’i vendosë të dyja duart mbi titullin e nëntë radhazi. Sidoqoftë, bardhezinjtë do të ndeshen në transfertë me njërën prej skuadrave më në formë të kampionatit italian, Milanin e Stefano Piolit.

Në shtëpinë bardhezi, kampioni portugez, Cristiano Ronaldo, është shënuesi më i mirë, me 25 gola në këtë kampionat. Në derbin pararendës të Torinos, ai u kthye te goli edhe përmes goditjes së lirë, një specialitet nga i cili nuk kishte shënuar kurrë që kur e kishte veshur fanellën e Juventusit. Në mesin e kuqezinjve, nga ana tjetër, dallohen 9 golat e kroatit Ante Rebic, bomberi i Milanit, i cili e ka shkruar emrin e tij në tabelën e rezultateve 6 herë në 8 ndeshjet e fundit.

Midis dy skuadrave janë luajtur 84 ndeshje në Serie A, në shtëpinë e skuadrës lombarde. Në to mbizotëron shenja X (barazimi), e cila është regjistruar në 33 raste, kundër 28 fitoreve të Milanit dhe 23 fitoreve të “Zonjës së Vjetër”. Sidoqoftë, situata ndryshon nëse analizojmë dekadën e fundit, ku në 9 ndeshje të luajtura në “San Siro”, torinezët kanë fituar në 6 raste me 2 fitore të kuqezinjve dhe një barazim në pjesën tjetër të ballafaqimeve.

Fitorja e fundit në shtëpi e Milanit ndaj Juventusit është 1-0, më 22 tetor 2016, një ndeshje e vendosur nga një gol i shkëlqyeshëm i Manuel Locatelli. Ky i fundit i dha skuadrës së drejtuar nga Vincenzo Montella 3 pikët kundër bardhezinjve të Massimiliano Allegrit. Duke mposhtur Torinon në ndërqytetasen e fundit, Juventusi e ka rritur numrin e fitoreve radhazi të Serie A në 7, ndërsa kuqezinjtë kanë arritur 3 fitore dhe një barazim në 4 ndeshjet e fundit.

Ndër të veçantat e supersfidës duhet përmendur Zlatan Ibrahimovic. Suedezi do të luajë për herë të parë kundër Juventusit, që nga kthimi i tij te kuqezinjtë. Hera e fundit, kur suedezi u përball me “Zonjën e Vjetër” ishte në sezonin 2010-2011. Me atë rast, “Zonja e Vjetër” fitoi (1-2) në “San Siro”, teksa goli i suedezit nuk e shmangu dot humbjen për kuqezinjtë. Sidoqoftë, sulmuesi tashmë ka luajtur kundër ish-skuadrës së tij në Kupën e Italisë (1-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në Milano).

FORMACIONET E MUNDSHME
Në total, ky do të jetë ballafaqimi i 170-të në Serie A midis dy skuadrave. Pioli nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Castillejo. Spanjolli është i dëmtuar dhe nuk do të kthehet para mesit të korrikut. Calhanoglu, i cili kishte dalë jashtë në ndeshjen e fundit kundër Lazio, është në dyshim. Saelemaekers dhe Bonaventura duhet të gjejnë hapësirë ​​në mesfushë. Ibrahimovic do të startojë nga minuta e parë si “pykë” e sulmit. Nuk priten ndryshime të tjera në repartee të tjera të kuqezinjve. Donnarumma do të luajë në portë, para tij Kjaer dhe Romagnoli, dy mbrojtësit qendror, ndërsa Conti dhe Theo Hernández nga krahët. Në mesfushë do të udhëheqë çifti i konsoliduar, i përbërë nga Kessié dhe Bennacer.

Mungesa e dyfishtë e rëndë për Sarrin, i cili nuk do të ketë në dispozicion për skualifikim De Ligt në mbrojtje dhe Dybala në sulm. Midis shtyllave të portës, pas rekordit të arritur nga Buffon, kthehet Szczesny. Rugani do të çiftohet me Bonucci në qendër të mbrojtjes, ndërsa Cuadrado dhe Danilo do të veprojnë nga krahët. Në mesfushë, Pjanic do të jetë “regjisori”, me Bentancur dhe njërin mes Matuidi dhe Rabiot nga krahët. Përpara, në vend të “Joya” do të shihet nga minuta e parë Higuain, si qendërsulmues. Në anë Bernardeschi, ende i preferuar para Douglas Costa, dhe padyshim Cristiano Ronaldo. Alex Sandro dhe Chiellini do të jenë përsëri në dispozicion.

MILAN (4-2-3-1): G. Donnarumma; Conti, Kjaer, Romagnoli, Theo Hernández; Kessié, Bennacer; Saelemaekers, Bonaventura, Calhanoglu; Ibrahimovic.
JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; Cuadrado, Rugani, Bonucci, Danilo; Bentancur, Pjanic, Matuidi; Bernardeschi, Higuain, Cristiano Ronaldo.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit