Sarri sqaron “shpërthimin” ndaj lojtarëve: Ky është karakteri im, flas drejtpërdrejt

21 Janar 2019
9:30
Alfred Lleshi
back button

Maurizio Sarri u tërbua nga performanca e dobët e skuadrës së tij kundër Arsenalit, të shtunën, teksa tha se e ka jashtëzakonisht të vështirë për t’i motivuar lojtarët. Ai, gjithashtu, shau nëpër dhëmbë në italisht, për herë të parë që nga ardhja në këtë klub, në korrik, pasi donte të dërgonte një mesazh të qartë për të tijtë.

Sarri nuk mendon se është shumë e rrezikshme për ta drejtuar gishtin nga lojtarët e tij, pavarësisht akuzave të mëparshme për ndikimin e madh të këtyre të fundit në shkarkimin e trajnerëve kryesorë në “Stamford Bridge”. Ai nuk është i frikësuar nga konflikti, pasi synon të nxisë një ndryshim në karakterin e grupit të tij dhe ta përmirësojë Chelsea: 

"Unë nuk e di, por ky është karakteri im. Nuk mendoj se është e rrezikshme. Këta njerëz kanë një kokë të ndjeshme mbi supet e tyre, kështu që nuk mendoj se po rrezikoj asgjë.

Kam thënë që lojtarët janë të vështirë për t’u motivuar, por kjo nuk nënkupton se janë të pandjeshëm. Ata do t’i dëgjojnë mirë fjalët e mia dhe nuk do t’i kuptojnë në mënyrën e gabuar. Mund të ketë një rrezik të vogël, por nuk mendoj se ka vend për alarm. Ky është karakteri im, unë flas drejtpërdrejt.

Kjo është mënyra se si unë flas. Po, nganjëherë, kur flisni në këtë mënyrë, kjo mund të shkaktojë disa shqetësime, ose konflikte, por kjo nuk shkakton ndonjë hidhërim të vazhdueshëm. Mendoj se kam lojtarë të aftë, që të mishërojnë karakteristikat për të cilat kam folur. Duhet ta ndryshojmë mentalitetin dhe mendoj se brenda grupit të lojtarëve kemi aftësi dhe karakteristika për këtë.

A më vijnë në mendje situatat e paraardhësit tim? Nuk mbaj mend saktësisht se çfarë ka ndodhur, por me skuadrën time mendoj se është ndryshe. Conte në atë kohë ishte duke përdorur një mbrojtje me tre lojtarë, kështu që nuk ishte krejt njësoj, ndërsa ky është futbolli që unë pëlqej të luaj. 

Jam një mësues i mirë i këtij futbolli. Nuk mendoj se do të ishte një ide e mirë, nëse do të përpiqem t'u mësoj lojtarëve të mi një lloj tjetër futbolli. Ndoshta do të ketë disa modifikime, por jo ndryshime masive.

Kur kam ardhur këtu, me siguri kuptova se grupi kishte një potencial të madh. Nuk kam dyshime për këtë. Nuk mendoj se do të ishte e saktë për mua të flisja për zhgënjim nga ajo që gjeta, kur arrita këtu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit