Scaloni “driblon” zemërimin e Di Maria: Kombëtarja mbështetet edhe nga jashtë…

25 Shtator 2020
13:03
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i është përgjigjur dufit të Angel Di Maria, që mbeti jashtë listës së Albiceleste për kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës 2022, kundër Ekuadorit dhe Bolivisë. Ylli i PSG reagoi me zemërim që nuk u thirr në kombëtare, duke akuzuar se të tjerë, që nuk luajnë në të njëjtin nivel me të, ishin pjesë e listës. 32-vjeçari beson se është në të njëjtin nivel me shokët e skuadrës, Kylian Mbappe dhe Neymar.

Ai hodhi poshtë idenë se vendimi i Scaloni kishte të bënte me moshën, pasi kapiteni Lionel Messi dhe disa të tjerë janë të ngjashëm në këtë aspekt: “Nëse është çështje moshe dhe punë cikli të ri, atëherë Messi, Aguero dhe Otamendi nuk duhet të jenë atje. Nëse është kjo, duhet të përdorësh të njëjtin standard me të gjithë, jo vetëm me mua. Unë jam 32 vjeç dhe ende po luaj në majë. Në çdo ndeshje tregoj se mund të jem në të njëjtin nivel me Neymar dhe Mbappe. Nuk mund të gjej një shpjegim, nuk kam fjalë. Nëse nuk më kanë thirrur është sepse nuk më duan”.

Scaloni pretendon se mbetet i hapur për Di Maria, megjithatë mbrojti vendimin e tij për të thirrur “lojtarë që kanë bërë më të mirën”. Trajneri i kombëtares argjentinase nuk dha shpjegim të drejtpërdrejtë pse lojtari i PSG u neglizhua: “Ne nuk ia kemi mbyllur derën askujt, aspak. Përkundrazi, kombëtarja është e të gjithëve. Për momentin, kështu janë gjërat, por kjo nuk nënkupton që në të ardhmen të jenë ndryshe.

Për të gjithë djemtë që kishin mundësi të luanin, ne do të dëshironim të vazhdojnë si pjesë e projektit dhe të mos i heqin fanellat e tyre (të mos tërhiqen nga kombëtarja). Ish-trajneri i Argjentinës, Jose Pekerman, na nguliti një mënyrë për ta kuptuar futbollin dhe për ta mbrojtur ekipin kombëtar. Ata që nuk luajnë duhet ta mbështesin kombëtaren nga jashtë. Ne e kuptuam këtë gjë asokohe. Brezi i sotëm vazhdon të bëjë çmos për të luajtur për vendin e vet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit