Sekretet publike të Federatës dhe transparenca zero: Tirana-Kastrioti drejtohet nga arbitër i huaj?

18 Maj 2019
11:21
back button

Po e lemë me pikëpyetje: Tirana-Kastrioti drejtohet nga arbitër i huaj? Për sa kohë Federata Shqiptare e Futbollit nuk denjon të shkruajë 2 rreshta shkrim në kanalet e saj zyrtare, por mban gjithçka sekret, pikëpyetja është detyrim, edhe pse lajmi se një arbitër maqedonas do të drejtojë finalen e mbijetesës në "Selman Stërmasi" është zyrtar, sipas "Procesi Sportiv" në Facebook.

As emri nuk publikohet, asgjë tjetër nuk dihet, ndaj fare mirë mund të jetë edhe nga Kazakistani apo Korea e Veriut, mjafton të mos jetë shqiptar, sepse shqiptarët ose janë të paaftë, ose janë të korruptuar. 

Ky është mesazhi që prej vitesh japin klubet tona të nderuara, ky është mesazhi që jep edhe FSHF, duke zhvlerësuar totalisht figurën e arbitrit, edhe pse i paguan goxha mirë, aq sa me 4 ndeshje të drejtuara në Superiore muaji shkon shumë më lart se paga mesatare e shqiptarëve.

Kemi arbitra të denjë të drejtojnë ndeshje në kupat e Europës apo në kualifikuese kombëtaresh, por nuk kemi arbitra të zotë të drejtojnë një Tirana-Kastrioti pa tifozë, me ritëm skandaloz, me 30 minuta futboll dhe 60 minuta ecje apo ndalesa loje në çdo mënyrë.

 Ndoshta me arbitër maqedonas gjithçka do duket më e bukur, edhe dielli do shkëlqejë më shumë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit