Seria A, ja kush shkon në Champions nëse ka barazi pikësh

23 Prill 2019
15:25
Denis Hakanaj
back button

Pesë ndeshje para fundit, gjashtë skuadra të përfshira, dy vende në dispozicion: mes të mëdhave që po udhëtojnë me frena dore të ngritura dhe një klase të mesme që nuk di të ndalet, në Serinë A mbizotëron pasiguria në garën për një vend në Champions League

Si në Formula 1, detajet mund të bëjnë diferencën. Në kampionatin e kaluar, në fakt, Inter-i arriti ta parakalojë Lazio-n në kthesën e fundit, duke siguruar vendin e katërt në renditje falë përballjeve direkte. Këto të fundit mund të rezultojnë vendimtare edhe në këtë sezon, por nuk duhet anashkaluar as diferenca e golave.  

RREGULLORJA – Rregullorja e Serisë A parashikon se në rast të një barazie pikësh mes dy skuadrave (si Milan dhe Atalanta në këtë moment), për të përcaktuar se cila kualifikohet në Champions duhen marrë në konsideratë pikët e grumbulluara në përballjet direkte (golat e shënuar në transfertë nuk vlejnë dyfish). 

Në rast se do të ketë barazi edhe në përballjet direkte, atëherë do të shihen diferenca e golave në ndeshjet direkte, diferenca e përgjithshme e golave, numri i golave të shënuar në kampionat. Nëse tre ose më shumë ekipe do ta mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, do të merret parasysh vetëm klasifikimi i bazuar te ndeshjet direkte mes skuadrave të përfshira.  

INTER, 61 PIKË – Zikaltrit, përveçse kanë më shumë pikë, janë në avantazh ndaj Milan-it dhe Lazio-s në përballjet direkte. Barazimi i dyfishtë në sfidat me Roma-n do ta bënte vendimtare diferencën e përgjithshme të golave: aktualisht Inter-i është në +24, Roma në +12. Skuadra e  Spalletti-t nuk do të ishte e favorizuar në rast të një barazie pikësh me Atalanta-n dhe Torino-n. 

MILAN, 56 PIKË – Lojtarët e Gattuso-s janë paraqitur mirë në shumë ndeshje të mëdha dhe për këtë arsye nuk do të ishin të shqetësuar nëse do ta mbyllnin kampionatin me pikë të barabarta me Atalanta-n, Lazio-n dhe Roma-n. E kundërta vlen për Inter-in, që ka fituar dy derbit e Milanos. Në javën e ardhshme të kampionatit, kuqezinjtë do të luajnë në fushën e Torino-s, me takimin e "San Siro-s" që është mbyllur në barazim 0-0. 

ATALANTA, 56 PIKË – Bergamaskët janë në avantazh ndaj Inter-it dhe në disavantazh ndaj Milan-it dhe Torino-s. Barazimi i dyfishtë 3-3 me Roma-n favorizon skuadrën e Berishës dhe Gjimshitit, që kanë një diferencë të përgjithshme golash më të mirë: Atalanta +24, Roma +12. Pas dy javësh, skuadra e Gasperini-t do të luajë në "Olimpico" kundër Lazio-s. Zikaltrit kanë fituar 1-0 ndeshjen e fazës së parë. 

ROMA, 55 PIKË – Diferenca e golave mund t'i kushtojë shtrenjtë Ranieri-t, +12 aktuale do ta penalizonte Roma-n në krahasim me Inter-in dhe Atalanta-n, të dyja në +24. Verdhekuqtë janë në avantazh vetëm ndaj Torino-s dhe do të dilnin të humbur edhe në rast të një barazie pikësh me Milan-in dhe Lazio-n. 

TORINO, 53 PIKË – Torinezët do të luajnë dy ndeshje vendimtare: me Milan-in do ta nisin nga barazimi 0-0 i marrë në "San Siro", me Lazio-n nga rezultati 1-1, edhe ky i marrë larg shtëpisë. Mazzarri ka marrë rezultate më të mirë në përballjet direkte me Spalletti-n dhe Gasperini-n, ndërsa ka humbur  dy ndeshjet e luajtura kundër Roma-s. 

LAZIO, 52 PIKË — Në pritje të ndeshjes në shtëpi me Atalanta-n (është mundur në Bergamo) dhe të asaj në transfertë me Torino-n (1-1 në "Olimpico"), skuadra e Simone Inzaghio-t është e favorizuar vetëm ndaj Roma-s, ndërsa është në disavantazh ndaj dy milanezeve.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit