Sërish telashe për Spalletti: Humbet mesfushorin titullar, rrezikon edhe sfidën ndaj Milan ne Champions

12 Shtator 2023
12:36
Telesport
back button

Mesfushori italian i Newcastle, Sandro Tonali, nuk do të luajë mbrëmjen e sotme për kombëtaren “azzurre” në ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 ndaj Ukrainës. Ai është dëmtuar gjatë seancës së sotme dhe nuk është grumbulluar nga trajneri Luciano Spalletti.

Një mungesë e rëndësishme për kombëtaren italiane, që sot është e detyruar të fitojë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Mediat italiane konfirmojnë se Tonali sot do të jetë në tribunë për të parë ndeshjen dhe nuk do të kthehet menjëherë për në Angli.

Lojtari do të kryejë nesër disa vizita në një klinikë mjekësore në Milano për të kuptuar shkallën e dëmtimit. Newcastle është njoftuar për këtë dëmtim dhe pret lajme nga mesfushori, por ka gjasa që Tonali të mos jetë në fushë në ndeshjen e radhës në Premier League.

Jo vetëm kaq, por Tonali mund të mos luajë edhe pas një jave në ndeshjen që Newcastle do të zhvillojë ndaj Milan në “San Siro”, ish-skuadrës së tij, në Champions League. Gjithsesi, sot Italia nuk do të ketë në fushë një nga lojtarët më të rëndësishëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit