Shaqiri “i shkel syrin” Tares dhe Lazio: Të luaja për Sarri do të ishte vërtet intriguese

26 Korrik 2021
9:40
Alfred Lleshi
back button

Katër tituj me Liverpool, përfshirë një Premier League dhe një Champions League, gola dhe suksese të qarta. Sidoqoftë, për Xherdan Shaqirin e gjitha kjo nuk mjafton më. Sezonet e kaluara me “Reds”, padyshim të rëndësishëm, janë të destinuar të bëhen një parantezë për karrierën te Zvicra, e cila, pas disa vitesh, vihet në vështirësi. Sepse, po nuk luajte në klubin tënd, nuk ke si gjen hapësirë as në kombëtare.

Prioriteti i Shaqirit, mbush 30 vjeç në tetor, tani është të luajë vazhdimisht, të shtojë trofe të tjerë prestigjiozë në “palmaresin” e vet. Ky është rrëfimi i tij për “Corriere dello Sport”: “Gjëja e rëndësishme në këtë moment, në karrierën time, është që të luaj rregullisht, sepse nuk ka qenë gjithmonë kështu në tri sezonet e fundit. Unë i thashë Liverpool-it se ndihem gati për një sfidë të re. Drejtuesit e kanë pranuar kërkesën time dhe do të vlerësojnë ofertat”.

Me Liverpool, 63 paraqitje dhe 8 gola nga viti 2018, me një mesatare prej 40 minutash për ndeshje. Shifra jo të mrekullueshme, që e shtyn shqiptarin e Zvicrës të reflektojë: “Unë jam vetëm 29 vjeç, kam luajtur në disa nga ligat më të mira në Evropë dhe do të doja të vazhdoja të isha pjesë e tyre. Nuk jam duke menduar ende për fundin e karrierës time, do të shohim se çfarë ka rezervuar fati”.

Dhe midis destinacioneve të mundshme ekziston Italia. Për të do të ishte një kthim, duke pasur parasysh përvojën tek Interi i Roberto Mancini më 2015: “Çfarë shkoi keq me atë përvojë? Ndonjëherë në futboll ndodh që të jesh në vendin e gabuar në një kohë të gabuar. Unë thashë që futbolli italian ishte i ngadaltë dhe nuk mendoj se është vetëm mendimi im. Në Itali ka pasur një zhvillim thelbësor vitet e fundit, dëshmuar nga fitorja e Kampionatit Europian”.

Në seancat e kaluara të merkatos ai u lidh me disa klube italiane, përfshirë Romën, por Liverpool ngriti një “mur” rreth tij: “Interesimi i Romës një vit e gjysmë më parë? Është e vërtetë, në atë moment mund të isha transferuar te Roma ose Sevilla. Liverpool, megjithatë, nuk ishte gati të fliste për mua me ekipe të tjera”.

Dhe tani flasim për Lazio, i cili me emërimin e Maurizio Sarri në stol po kërkon një lojtar si Shaqiri: “Unë nuk kam biseda të drejtpërdrejta, ekipi im i konsulentëve merret me merkaton. Ata më informojnë kur ka klube të interesuara. Duhet të pyesni ata. Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyeshme te Lazio për vite me radhë. Nëse është e vërtetë që ai ka një respekt të madh për mua si futbollist, jam vërtet i nderuar. E kam ndjekur Lazion për një kohë të gjatë, është një klub i nivelit të lartë. Të luaja për Sarri do të ishte intriguese”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit