Shehi e quan ndeshje të radhës, Seferi “kërcënon” Hoxhën para derbit

12 Mars 2021
11:41
Alfred Lleshi
back button

Në prag të derbit të madh të kryeqytetit, që do të luhet nesër prej orës 13:00, në “Selman Stermasi”, ka dalë në konferencë për shtyp edhe trajneri i Tiranës, Orges Shehi. Para gazetarëve, ai nënvizoi: “Derbi nuk do koment, por ne duhet të fokusohemi dhe të përqendrohemi si te ndeshja e radhës. Ka edhe shumë javë të tjera kampionati, kështu që do të impenjohemi maksimalisht, por duke e konsideruar si ndeshja e radhës.

Statistikat janë pjesë e juaja, unë nuk i trembem asnjë lloj kundërshtari, duke pasur parasysh lojtarët që kam në dispozicion. Do të futemi me synimin për të bërë maksimumin, për t’u ringjitur aty ku duhet dhe aty ku na takon.

Rezultatet pozitive ndikojnë në humorin dhe psikologjinë e skuadrës, por ndeshjet derbi kanë një specifikë të veçantë, ku nuk merren parasysh e kaluara dhe e tashmja. Shpresojmë ta interpretojmë mirë derbin dhe të mos gabojmë.

Skuadra është e plotë, sigurisht ndonjë lojtar nuk është akoma në 100%. Është derbi, lojtarët do të japin më të mirën e tyre. Patjetër që e analizojmë çdo kundërshtar, por në radhë të parë analizojmë veten tonë, çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë keq.

Nuk kam dashur ta ngarkoj skuadrën këtë javë. Trajneri e ka të lehtë motivimin në këtë ndeshje, lojtarët motivohen dhe karikohen vetë. Thjesht duhet të jemi të përqendruar dhe të vlerësojmë çdo detaj, sepse gjërat e vogla kanë shumë rëndësi në ndeshje të tilla.

Sa vijnë dhe ndeshjet pakësohen, tashmë duhen shfrytëzuar maksimalisht mundësitë për të qenë brenda objektivave. Është ndeshje e rëndësishme, luajmë ndaj kundërshtarit tonë historik. Nuk duhet të ngarkohemi, ta marrim si ndeshja e radhës dhe të mos harrojmë se ka edhe shumë ndeshje të tjera deri në fund të kampionatit.

Derbi si bardheblu? E kam provuar derbin në cilësinë e lojtarit. Në cilësinë e trajnerit është derbi im i parë, por, deri tani, nuk është se ka ndonjë ndjesi të veçantë. Duam të bëjmë më të mirën dhe të mbushemi me besim për t’u futur nesër në fushë për fitore.

Mungesa e tifozëve? Patjetër që derbi ka ndikim edhe te tifozët, me zor e presin të gjithë këtë ndeshje. Nuk kemi ç’bëjmë, duhet të përqendrohemi te fusha, pjesa e tifozëve iu përket atyre. Shumë pak lojtarë e kanë për herë të parë derbin. Edhe prurjet e reja do të përshtaten me adrenalinën e derbit, por lojtarët me eksperiencë do t’i ndihmojnë për të qenë aty ku duhet. Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda, por ne do të jemi të përqendruar për të marrë maksimumin. Se çfarë do të prodhojë fusha e lojës, mbetet për t’u parë nesër”.

 Ndërkohë, për derbin ka folur edhe Taulant Seferi: “Po ecim mirë dhe shpresoj që nesër të jemi me të njëjtin ritëm. Ta marrim me qetësi dhe vëmendje derbin, shpresoj të triumfojmë. Tifozët? Më mungojnë shumë. Edhe në derbin e kaluar ishte pa tifozë. Kjo është mungesë e madhe edhe për ne, edhe për futbollin shqiptar.

Futbolli nuk është individual, luajmë si kolektiv. Po e marrim me qetësi dhe përqendrim të madh derbin. Në ndeshjen e parë me Partizanin kisha 6 muaj pa luajtur, kisha problem fizike, tani jam mirë.

Alban Hoxha ka thënë se nuk i shënoj dot? E përshëndes Albanin shumë se është super djalë, por do ta shobim në ndeshje. Rasti i humbur në ndeshje? Më kujtohet, por s’kemi ç’bëjmë, kështu është futbolli”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit