Shehi gjen përgjegjësit e humbjes: “Vetëm Skënderbeu pëson kështu golash!”

22 Shkurt 2019
20:34
back button

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi nuk e ka fshehur aspak zhgënjimin e tij pas humbjes së pësuar në shtëpi ndaj Tiranës me rezultatin 1-2. Jo vetëm kaq, pasi Shehi, ndonëse ka marrë përgjegjësinë e humbjes, nuk ka kursyer as repartin e tij mbrojtës.

“Zhgënjimi është prezent sepse të humbësh në këtë mënyrë të vjen keq. Të vjen keq të pësosh ashtu në një herë e gjysmë që të vjen kundërshtari në portë. Kemi luajtur thuajse të gjithë kohën në gjysmëfushën e Tiranës. Nuk duhen harruar mungesat e për më tepër edhe dalja e Abazit që ishte deçizive. Ai na prishi ekuilibrat, edhe goli erdhi nga ana e Abazit”, deklaroi Shehi.

“Është për të ardhur keq me golat që pësojmë. Ne vazhdojmë të ngulmojmë, të analizojmë javë pas jave, por mbase mungesa e mbrojtësve të mirfilltë aty ndikon. Janë gola tërësisht të evitueshëm dhe prandaj më vjen më shumë keq. Janë gola që vetëm ne mund t’i pësojmë. Mos patja e mbrojtësve në atë repart dhe ndoshta ndonjë neglizhim i momentit, sepse i kemi pësuar golat edhe nga mungesa e përqendrimit”, komentoi kreu i pankinës bardhekuqe.

“Është një situatë jo e mirë sepse pas gjithë këtyre ndeshjeve nuk marrim rezultat dhe sigurisht që përgjegjësinë e parë e marr unë, sepse jam i pari i kësaj skuadre. Besoj se nuk duhet të prodhojmë futboll që të fitojmë. Një strategji që bie ndesh me parimin tim. Ne po prodhojmë lojë dhe nuk po fitojmë dot, por ndërkohë nuk fitojmë. Mbase duhet të mendojmë vetëm për mbrojtjen dhe të godasim kundërshtarin në kundërsulm”, shprehet tekniku i korçarëve.

“Unë do t’i besoj të rinjve, sepse ata duhet të ingranohen më shumë te skuadra. Është një risk i madh, sikurse kemi dëshmuar që nga portieri, mbrojtësit e më tej. Ne jemi skuadra që jemi ndëshkuar më shumë nga gabimet individuale, kjo vjen nga mungesa e eksperiencës. Këta futbollistë kemi në skuadër dhe këta do të aktivizojmë, edhe pse me kosto të lartë, sidomos për mua që nuk marr rezultate”, deklaroi trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit